Në anglisht, “Politics and the public media in Kosovo” me autor dr.Gjylie Rexha

Punimet e para, bazuar në hulumtimin empirik tërhoqën shpejt vëmendjen e revistave ndërkombëtare

Tani edhe në anglisht – “Politics and the public media in Kosovo” është libri për trekëndëshin: faktorë vendimmarrës politikë-media publike e Kosovës – qytetarë/audienca, që tani është i qasshëm edhe për lexuesit e huaj.

Botimi paraqet realizimin e njërit prej synimeve që nga vitet e para të studimeve doktorale të Gjylie Rexhës nga treva etnike e Shqipërisë Veriore, Ulqini, që iu dha si plaçkë Malit të Zi prej fundit të viteve 1890.

Punimet e para, bazuar në hulumtimin empirik tërhoqën shpejt vëmendjen e revistave ndërkombëtare. Autorja thotë se po në atë kohë mori edhe ofertat e para të shtëpive botuese perëndimore për publikimin e librit.

Arsyeja, sipas saj, ishte e thjeshtë, por edhe pak e çuditshme. Aspekti më i diskutueshëm dhe më vendimtar për radiotelevizionin publik të Kosovës, nuk gjendej si rast studimor në publikimet shkencore, të bollshme dhe të thelluara për këtë kategori të mediave.

Në këtë aspekt, studimet doktorale u patën shndërruar edhe në objektiv shkencor për t’u ofruar audiencave më të gjera një libër që mund t’u shërbejë studiuesve shqiptarë dhe të huaj për analizat krahasuese në lëmin e mediave me statusin juridik të transmetuesve publikë si dhe pozitës dhe rolit të tyre në kuadër të sistemeve mediatike të vendeve përkatëse.

Versioni në anglisht i botuar nga LAP LAMBERT është i përshtatur për lexues të huaj dhe dallon nga “Etosi i humbur”, në pjesët për sfondin historik dhe shoqëror, por gjithsesi është i njëjti libër që u është ofruar lexuesve në shqip nga shtëpia botuese “Orfeu”, në muajin tetor 2017.

Në përmbajtjen e tij, libri trajton në mënyrë specifike: ngritjen dhe zhvillimin e RTK-së në periudhën e protektoratit të OKB-së, ndikimin e politikës mbi zhvillimin strategjik të saj duke përdorur legjislacionin si instrument për të krijuar varësinë e medias nga pushteti, politikën editoriale dhe përfaqësimin e faktorëve politikë në përmbajtjen e lajmeve të RTK-së, raportin e RTK-së me audiencat e saj si dhe statusin e gazetarit të lajmeve brenda RTK-së.

Në pjesën e fundit, libri ofron alternativa për reformimin dhe transformimin e RTK-së në media të mirëfilltë publike, të larguar nga ndikimi politik dhe në “aleancë” me qytetarët/audiencat e saj.

“Personalisht, – shton dr.Gjylie Rexha, pedagoge dhe redaktore lajmesh në radiot “Kosova”” të RTK-së, – ndihem e lehtësuar”:

“Tani janë me të vërtetë e kaluar edhe lodhja, edhe pengesat e nganjëherë edhe pyetja që i bëhet vetes në rrugët e vështira: “a ia vlen?”. Por, ia vlente”!

Ajo nuk harron falenderimet nga zemra për të gjithë ata që e kanë përkrahur, në veçanti siç thekson “miken dhe përkthyesen e shkëlqyer Linda Baleta“.

Dhe, anash modestinë, ajo shton: “Jam ndierë vërtetë mirë që në ditët fundit të muajit të kaluar kur shtëpia botuese ka nisur reklamimin e librit në platforma të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Amazon në vende të ndryshme”.

Comment

*