Puigdemont: Katalonja spraps planet e Madridit për shuarjen e autonomisë

Barcelonë, 21 tetor 2017 – Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka deklaruar se Katalonja do të spraps planin e Madridit për shpërbërjen e autotonomisë së saj.

Puigdemont, në një adresim televiziv, të shtunën mbrëma, e ka cilësuar si “sulm ndaj demokracisë” dhe si “përpjekje për poshtërimin” e Katalonjës pplanin e Kryeministrit spanjol, Mariano Rajoi, që ta marrë nën kontroll qeverisjen në Katalonjë.

Ai ka paralajmëruar se do të thërrasë mbledhjen e Parlamentit të Katalonjës, ku do të merret vendimi politik për reagim ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Spanjës për shuarjen e autonomisë së Katalonjës.

Pouigdemont ka thënë se plani i kryeministrit spanjol është “sulmi më i ashpër” ndaj popullit dhe institucioneve të Katalonjës pas vitit 1939, kur diktatori fashist Francisco Franco, në fund të luftës qytetare të Spanjës, e kishte shpërndarë qeverinë rajonale të Katalonjës.

Ai ka theksuar se Qeveria e Spanjës “po shkel mbi vullnetin politik të qytetarëve të Katalonjës, të shprehur në mënyrë demokratike, me referendum, duke mos pranuar as thirrjet për dialog’, citon BBC.

Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka theksuar gjithashtu se në Katalonjë “janë rrezikuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian”. Ai e ka thënë këtë në gjuhën angleze, për t’ia tërhequr vërejtjen kështu Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij.

Të shtunën, më heret, Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoi, ka bërë të ditur se qeveria spanjole ka marrë vendim për shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës, për zvogëlimin e kompetencave të parlamentit të saj dhe për organizimin e zgjedhjeve të reja në vend.

Vendimi i Qeverisë së Spanjës ka nxitur reagime të fuqishme te qytetarët e Katalonjës që kërkojnë shkëputjen e rajonit nga Spanja. Të shtunën në mbrëmje, në Barcelonë, kanë dalë në rrugë qindra mijëra mbështetës të pavarësisë së Katalonjës, të cilët kanë protestuar kundër planit të Madridit për shuarjen e autonomisë së rajonit. (r.m.)

Comment

*