Puna me gjuhën shqipe

Carrie Hooper

Nga Carrie Hooper

Fillova të mësoja shqip në tetor të vitit 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes.  Së pari përdora një libër në brail që e gjeta te Biblioteka për të verbërit në Angli dhe studenti im më ndihmoi.  Gjithashtu një grua transkriptoi një fjalor shqip-anglisht në brail që e kisha blerë.  Më tej gjeta një libër audio me përralla shqiptare te Biblioteka për të verbërit në Suedi.  Në verë 2009 dhe në verë 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek Arizona State University në Tempe të Arizonës.  Tani për tani lexoj artikuj nga Gazeta Dielli duke përdorur kompjuterin tim braili.  Për më tepër shoku im, Tim Hendel, që jeton në Huntsville të Alabamës, më inçizon emisione radiofonike në internet në gjuhën shqipe kështu që mund ta dëgjoj gjuhën.  Përveç kësaj flas në telefon me shqiptarë për të ushtruar gjuhën.

Në shtator 2010 këndova një koncert me këngë shqiptare në kishën ortodokse Shën Elia në Jamestown të Nju Jorkut.  Në tetor 2010 këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachussetsit.  Në qershor 2011 këndova në një koncert në Toronto të Kanadasë me rastin e mbylljes së vitit shkollor të shkollave shqipe atje.

Në prill 2012 mora pjesë në festimin e njëqindvjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, O popull i dashur, për të cilën shkruajta tekstin shqip dhe kompozova muzikën.  Në qershor 2012 dhashë një intervistë në New York për një film shqiptar me producent Piro Milkanin dhe regjisor Petrit Rukën, që trajtoi historinë e Himnit Kombëtar shqiptar.  Gjatë intervistës këndova Himnin kombëtar shqiptar.  Filmi fitoi një çmim të veçantë për njëqindvjetorin e Pavarësisë.  Në fund të qershorit 2012 dhashë dy prezantime te Arizona State University në Phoenix të Arizonës.  Në prezantimin e parë diskutova se si mësova shqip si të verbër dhe përshtatjet që më duheshin.  Në prezantimin e dytë fola për eksperiencën time duke mësuar shqip dhe këndova këngë shqiptare.

Në tetor 2012 vizitova shkollën shqipe në Bronx dhe dhashë një prezantim për prindërit dhe nxënësit në të cilin fola për eksperiencën time duke mësuar shqip dhe interpretova disa këngë shqiptare.  Në qershor 2013 mora pjesë në programin e mbylljes së vitit shkollor te shkolla shqipe në Bronx duke kënduar katër këngë shqiptare.  Përveç kësaj ndoqa Meshën në Kishën Katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut ku u njoha me një prift, Gjergj Meta, me vendbanim në Durrës, i cili po e vizitonte kishën.  At Gjergj Meta shkruajti një artikull për takimin tonë që u botua në gazetën Mapo.  Më tej jam bërë anëtare e ansamblit Bashkimi Kombëtar drejtuar nga Gjergj Dedvukaj dhe i bie çiftëlisë.  Mora pjesë në një koncert të këtij ansambli në korrik të vitit 2013 në Kishën e Shën Palit në Detroit të Michiganit.

Gjatë viteve kam dhënë intervista për Gazetën Dielli, për gazetaren Raimonda Moisiu, për gazetarin Beqir Sinën te gazeta Bota Sot, për gazetaret Kozeta Zylon dhe Zyba Hysën, për një program të Flora Durmishit në Radio Kosovë, dhe për Radio e diela, një program që transmetohet në AM 1540 në Toronto të Kanadasë.  Gjithashtu mora pjesë në emisionin e gazetarit njujorkez, Qazim Dodë, Shqiptarët e Amerikës.

Kam shkruar poezi në shqip, disa e të cilave u botuan në gazetën Dielli dhe në Revistën Kuvendi.  Para disa vjetësh dhashë disa prezantime për Shqipërinë për klube në qytetin ku banoj, në të cilat tregova fakte për vendin dhe këndova këngë shqiptare.  Gjithashtu dhashë dy prezantime për Shqipërinë tek Elmira College tek i cili jap mësim.

 

Për nder të gjuhës shqipe

 

“Jam nga Shqipëria,” tha studenti im.  Kush do të kishte menduar se tre fjalë kaq të vogla mund të kishin pasur një ndikim kaq të madh mbi një jetë? Por kështu ndodhi atë ditë të paharrueshme.

“Jam nga Shqipëria.” Kjo fjali e thjeshtë ringjalli kujtimin e një vajze njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeçe që për herë të parë kishte dëgjuar emrin Shqipërinë.  Ajo vajzë isha unë.

Në çastin e ngathët që pësoi fjalët e tij, duke kërkuar t’i tregoja këtij studenti se e dija së paku një gjë për vendin e tij, vrava kokën duke u përpjekur ta mbaja mend emrin e kryeqytetit të Shqipërisë që kisha mësuar para aq shumë kohe, por që pikërisht në atë moment kisha harruar.  Natyrisht që e mbajta mend kur ai ma tha.

Kjo eksperiencë e papritur ndezi flakën e kureshtjes dhe kështu u lind dëshira për ta mësuar gjuhën shqipe.  Asnjë gjë s’do të më pengonte.  Duhej patjetër të mësoja shqip.  Kërkoja vazhdimisht gjer në fund gjeta të vetmin libër në brail për të mësuar shqip te Biblioteka e të verbëve në Angli. Ky libër do të bëhej çelësi që do ta hapte derën te kjo gjuhë dhe kjo kulturë e mistershme dhe e ndryshme.  Kaq lart brohorita atë ditë kur arriti libri sa mbarë bota me siguri duhej ta kishte dëgjuar lumturinë time!

Sa më shumë shqip mësoja, sa më shumë gjuha më rrëmbente.  Sa shpesh më dhimbte koka nga mundimi! Prapëseprapë nuk hoqa dorë.

Shumëherë pyesja veten, “A do të kuptoj kurrë shqip?” Mbaj mend gëzimin kur shqiptova fjalën e parë në shqip, kënaqësinë kur kuptova një fjalë në radio, mirënjohjen të mund të shkruaja vetëm një fjali në shqip!

O gjuha shqipe, muzika e fjalëve të tua e kënaq shpirtin tim! T’i flas fjalët e tua shprehëse gëzon zemrën time! T’i dëgjoj fjalët e tua mbush qenien time me gëzim! Përmes teje jam njohur me një popull të fort, trim, e guximtar, i cili e ka mbijetuar shtypjen e sunduesve të huaj dhe djallëzinë e diktaturës.

Tingullofsh, o gjuhë e dashur në popullin tënd kudo që të ndodhet! Rrofsh për gjithmonë e bukura gjuhë shqipe!

 

 

Comment

*