Putin e “ndëshkon” Serbinë për afrimin me SHBA-në

Beograd, 14 tetor 2020 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do ta vizitojë Beogradin në muajin tetor, siç kishte paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta serbe “Danas”.

Kjo gazetë, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike, shkruan se Rusisë “nuk i ka pëlqyer që së kohët e fundit Serbia është afruar shumë me SHBA-në në politikën e jashtme“, gjë që është shprehur sidomos me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

“Marrëveshja e Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë shënon edhe një kthesë në trendin e humbjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan, gjë që e nervozon Kremlinin. Partneri më i afërt i Rusisë në Ballkan, Serbia, po e zgjidh kontestin me Kosovën pa pjesëmarrjen e Rusisë në negociata dhe po afrohet me SHBA-në, ndikimi i së cilës po rritet në dëm të Rusisë”, ka thënë burimi i gazetës “Danas”.

Sipas burimit, megjithatë, ”Rusia do të përpiqet t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Serbinë, ndonëse e ka vënë re forcimin e ndikimit të SHBA-së në Serbi”.

Të mërkuren, në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s apo e ndonjë strukture ushtarake tjetër dhe as nuk do të vendosë ndonjëherë sanksione ndaj Rusisë, madje edhe në rast se ndaj Beogradit ushtrohet presion për këtë.

Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Moskë, në muajin qershor, kishte thënë se Putini ia ka konfirmuar kthimin e vizitës në muajin tetor. Ai e kishte cilësuar vizitën e Putinit në Beograd si një “ngjarje të mahnitshme”.

(r.m.)

Comment

*