Qershori 2020, për herë të parë pas gati dy dekadash pa Paradën Shqiptare në Manhattan

Ndër ngjarjet më masive të kësaj periudhe, që anulohen nga urdhëri i kryebashkiakut de Blasio janë Paradat e Festës së Izraelit, Dita Portorikane, Parada e Krenarisë (LGBT), panairet e rrugëve, koncerte etj

 

Nga Ruben Avxhiu

Kryebashkiaku i New York-ut, Bill de Blasio, ka anuluar sot të gjitha ngjarjet e mëdha publike për qershorin 2020.
“Viktimë” e këtij urdhëri ekzekutiv është edhe Parada Vjetore e Fondacionit të Emigrantëve që ka si një nga segmentët e tij më të mëdhenj Paradën Shqiptare, e cila në vitet e fundit është organizuar nga Rrënjët Shqiptare të drejtuar nga Marko Kepi.
Lajmi është disi i papritur edhe sepse ishte shtuar shpresa ditët e fundit që qershori do të sillte hapjen e Qytetit.
E gjithë java e fundit ka qenë shpresëdhënëse në New York. Të gjitha treguesit e sëmundjes COVID-19 janë në rënie. Numri i të vdekurve, ai i shtrimeve në spital etj. Numri i atyre që kërkojnë terapi instensive ka hasur në një tavan që nuk ndryshon.
Guvernatorët e rajonit kanë shtyrë masat paralizuese deri në 15 maj, me një mendje të hapur për ta shtyrë edhe një muaj tjetër nëse është nevoja. Guvernatori Cuomo po shqyrton ndalimin e plotë të metrosë për të penguar edhe më shumë përhapjen e virusit. Mirëpo, nga ana tjetër skenaret e nxjerra nga simulimet kompjuterike, japin shpresa për rënie të tërësishme të treguesve duke filluar nga 1 maji me shpesë së 1 qershori fillon hapjen e ngadaltë të ekonomisë në rajon.
Sigurisht hapja e ekonomisë është një gjë, kurse grumbullimet e qindramijëra njerëzve janë diçka tjetër.
Ndër paradat më gjigande vjetore që vijnë në këtë periudhë e që si Parada Shqiptare und të mos mbahen këtë vit janë Parada e Festës së Izraelit, Parada e Ditës Portorikane, Parada e Krenarisë (LGBT), etj.
Bashkë me paradat kryebashkiaku de Blasio ka ndaluar edhe koncertet, mitingjet politike, panairet e rrugëve, manifestimet dhe grumbullimet masive të çdo natyre etj.
Nuk dihet nëse këto mund të zhvendose në një datë tjetër të mëvonshme vetëm sa për këtë vit. Çdo parashikim në këtë moment është vetëm spekullim.

Comment

*