Qeveria arrin marrëveshje me banorët e Shipitullës dhe Hades

Prishtinë, 13 shtator 2017 – Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se sot (e mërkurë) është arritur një marrëveshje me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade të komunës së Obiliqit lidhur me çështjen e shpronësimit të pronave të tyre, për zgjerimin e minierës së thëngjillit për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Me këtë marrëveshje mundësohet që KEK-u të rinisë punën për furnizim me thëngjill të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Marrëveshja është arritur në takimin e sotëm të Kryeministrit Ramush Haradinaj me delegacionet e dy fshatrave.

“Në bisedë me delegacionet e të dyja fshatrave të Komunës së Obiliqit, kryeministri Haradinaj ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre, sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade. Njëkohësisht, është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj citohet të ketë thënë se kjo marrëveshje mundëson që eskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Haradinaj ka theksuar se me këtë marrëveshje përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, meqë mundëson zgjidhjen e njërit nga problemet e qytetarëve të saj në harmoni të plotë me kërkesat e tyre. (r.m.)

Comment

*