Qeveria e fuqizon vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë

Prishtinë, 12 qershor 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme të qeverisë, e ka anuluar vendimin e mëhershëm për pezullim të vendimit për rritje të pagave.

Ai ka thënë se Ministria e Financave obligohet që të zbatojë vendimin që ishte marrë në fillim të vitit.

Ministri i Financave Bedri Hamza ka propozuar që rritja e pagave të bëhet përmes ligjit për pagat.

Por, me këtë propozim nuk është pajtuar kryeministri Haradinaj, i cili ka kërkuar nga Ministria e Financave që të zbatohet vendimi për rritjen e pagave derisa të hyjë në fuqi Ligji për pagat.

Hamza ka kërkuar sqarime nëse ky vendim do të mund të sillte pasoja juridike, meqë Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se ka pasur konflikt interesi.

Por, Kryeministri e ka hedhur në votim çështjen e anulimit të vendimit për pezullim të vendimit paraprak për rritjen e pagave. Të gjithë ministrat kanë votuar për, me përjashtim të një ministri që ka abstenuar.

“Me këtë votim aprovohet shfuqizimi i vendimit për pezullimin e ngritjes së pagave”, ka thënë Haradinaj.

Anulimi i vendimit për pezullim të vendimit për rritje të pagave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë u bë pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka vlerësuar se vendimi për rritje pagash nuk ishte kundërkushtetues.

Vendimi për rritje pagash kishte hasur në reagime të partive opozitare dhe të shoqërisë civile ne Kosovë. Vendimi ishte kundërshtuar edhe në forma të ndryshme të manifestimit të pakënaqësisë.

Opozita dhe shoqëria civile e cilësojnë të pajustifikueshme rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, numri i të cilëve është shumë herë më i madh se ai i qeverisë së kaluar, të drejtuar nga Isa Mustafa.

(r.m.)

Comment

*