Qeveria e Kosovës i pranon dështimet në veri të vendit

Prishtinë, 17 korrik 2018 – Qeveria e Kosovës ia ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës një raport mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Qeveria raporton në mënyrë më të hollësishme mbi zbatimin e marrëveshjes për integrimin e ish-pjesëtarëve të strukturës paralele të sigurisë, Mbrojtjes Civile, në institucionet e Kosovës.

Në raport thuhet se 483 pjesëtarë të Mbrojtjesd Civile janë integruar në institucionet e Kosovës, sipas shprehjes së interesit, nivelit të arsimit dhe përgatitjes profesionale të tyre. Por, aty konstatohet se integrimi i ish-pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile ka dështuar.

Qeveria thotë se këta persona, ndonëse kanë kontrata me institucionet e Kosovës, ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në praktikë, janë të papërgjegjshëm dhe nuk u raportojnë fare institucioneve të Kosovës.

“Megjithëse këta 483 persona të integruar kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës. Personat e integruar nuk janë të përgjegjshëm dhe nuk i raportojnë institucioneve të Kosovës. Personat e integruar nuk janë objekte, materiale apo zyre për të kryer detyrat e tyre. Ka mungesë bashkëpunimi në nivel sektorial ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe personave të integruar”, thuhet tutje në raportin e Qeverisë për deputetët.

Në raport thuhet se edhe integrimi i 39 ish-pjesëtarëve të MUP (Ministrisë së Punëve të Bredshme) të Serbisë në stafin administrativ ka dështuar, pasi komunat veriore e kanë refuzuar integrimin e tyre.

“U hasën sfida në integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ nga 71 sish të policisë paralele serbe (ish “MUP”) në zyrat e gjendjes civile në katër komunat veriore. Megjithatë, komunat veriore kanë refuzuar integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ në strukturat komunale”, thuhet në raport.

Qeveria e Kosovës thotë se do të angazhohet në forcimin e autoriteteve të sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës, në rritjen e koordinimit të veprimeve të institucioneve të nivelit qendror dhe stafit të integruar, në organizimin e trajnimeve të rregullta për të integruarit, në ndërtimin e objekteve etj. (r.m.)

Comment

*