Qeveria e Kosovës kundërshton shifrat mbi papunësinë

Prishtinë, 3 korrik 2013 – Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka marrë kritika të ashpra nga ministrat e Qeverisë së Kosovës

Të m,ërkuren, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri i sapo kthyer në detyrë, Bujar Bukoshi, e ka quajtur si të tejkaluar metodologjinë që përdor ASK-ja. “Metodat që përdor ky agjencion në nxjerrjen e të dhënave janë të vjetruara dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren” ka thënë Bukoshi.

Kritikave të tij u janë bashkangjitur edhe ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Kusari-Lila i ka quajtur të pasakta shifrat e ASK-së për papunësinë në Kosovë dhe ka kërkuar rimodelimin e kritereve për nxjerrjen e numrit të të papunëve.

“Asnjëherë kjo agjenci nuk e ka treguar saktë numrin e të papunëve në Kosovë. Shifrat që prezantohen herë janë të fryra e herë janë të bazuara në intervista dhe jo në shifra konkrete” ka thënë Mimoza Kusari-Lila.

Ndërsa Hoxhaj ka thënë se bazimi i ASK-së në gjetjet e organizatave jashtë Kosovës është plotësisht i pasaktë.

“Nuk duhet të harrojmë se organizatat ndërkombëtare, shtetet dhe studiuesit e huaj i marrin të dhënat e ASK-së si shifra zyrtare, por ato nuk janë reale”, ka thënë ai.

ASK ka menaxhuar procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i cili ishte zhvilluar  në prill të vitit 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka me pak se 1.8 milionë banorë dhe mbi 60% e tyre jetojnë në zonat rurale.

B.S.

Comment

*