Qeveria e Kosovës synon dy miliardë euro investime strategjike

Prishtinë, 9 janar 2019 – Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se 11 kompani kanë shphrehur interesim të investojnë deri në 2 miliardë euro në sektorë të ndryshëm në Kosovë.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, së shpejti pritet shpallja e investitorëve strategjikë të cilët do të investojnë në sektorin e energjisë, transportit dhe turizmit.

Dy nga projektet e mundshme, të cilat mund të kalojnë përmes Ligjit për Investime Strategjike mund të jenë kompleksi turistik “Brezovica” dhe Hoteli “Grand” në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të marrë më shumë informacione rreth këtyre investimeve, por nuk ka arritur të kontaktojë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shala, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se në këto investime strategjike nuk janë të gjitha investime të huaja, por ka edhe investime vendore.

Duke folur për të njëjtën çështje, Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se në Kosovë po fillojnë  të realizohen këto investime.

“Pra, veçse kemi hyrë në një fazë intensive të zhvillimit të vendit”, ka thënë Haradinaj.

Ligjin për Investime Strategjike, i cili shihet si mundësi e mirë për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, ekspertë të çështjeve ekonomike e konsiderojnë të mangët, nëse nuk do të ketë stabilitet politik dhe sundim të rendit dhe ligjit.

Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka thëntë se Ligji për Investime Strategjike mund të jetë në funksion të zhvillimit të Kosovës, nëse do të ketë sundim të rendit e ligjit dhe stabilitet politik.

“Është e vërtetë që proceset ekonomike të Kosovës kanë mbetur nën hijen e agjendës politike. Në një vend ku agjenda politike dominon është shumë e vështirë të flitet për investime e, në veçanti, për investime strategjike. E them këtë bazuar në faktin se në Kosovë më shumë bëhet garë për të shpikur probleme dhe për të mbuluar problemet e pazgjidhura nga e kaluara, kështu që është duke u dëmtuar imazhi i Kosovës. Nuk vlen vetëm të kemi ligje, nëse ato nuk kanë zbatim”, ka thënë ai.

“Më gëzon fakti që ka të dhëna se do të ketë kompani dhe brende të huaja që do të investojnë miliarda euro në Kosovë, por duhet të kuptohet që, për të qenë atraktiv për këta investitorë, Kosova në rend të parë duhet të dëshmojë stabilitet politik, duhet të ketë sundim të rendit dhe ligjit dhe, mbi të gjitha, duhet të ofrojë një parashikueshmëri për bizneset që synojnë të investojnë në Kosovë”, ka shtuar Gërxhaliu.

“Në këtë drejtim Kosova është shumë larg realitetit. Kam drojën që këto investime strategjike më shumë duken si një spektakël politik ose si një parapërgatitje për ndonjë kampanjë zgjedhore se sa si projekte që mund të bëhen realitet”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ligji për Investime Strategjike ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve. Kryetarët e katër komunave në pjesën veriore të Kosovës e patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe kishin paralajmëruar se nuk do të lejonin që ky ligj të zbatohet në këto komuna.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati hedhur poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Investime Strategjike.

Ligji për investime strategjike pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017.

Sipas këtij ligji, shuma minimale që një investim të trajtohet si investim strategjik është 10 deri 30 milionë euro.

Ligji për Investime Strategjike nga autoritetet e vendit ishte konsideruar një ligj i cili krijon kushte shumë më të mira për investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë ligj ishte theksuar si i jepet fund procedurave burokratike.

Vlera e investimeve të huaja në Kosovë ka shënuar rënie nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, për nëntë muaj të vitit 2018, vlera e investimeve të huaja në Kosovë ka arritur shifrën prej 164.4 milionë eurosh. Në vitin 2017, investimet e huaja kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 ato kanë qenë rreth 220 milionë euro.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, vlera e investimeve të huaja direkte ka qenë më e lartë. Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që nuk ka arritur asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. (r.m.)

Comment

*