Qeveria e re e Shqipërisë vazhdon mbledhjen joformale në Velipojë

Kryeministri Edi Rama premton se brenda 100 ditëve të para do të marrë fund harxhimi i kohës, nervave dhe parave nga qytetarët për të kryer një punë në zyrat e shtetit

Denion Ndrenika

Qeveria e re e Shqipërisë vazhdon ditën e dytë të mbledhjes joformale në Velipojë të Shkodrës, thirrur nga kryeministri Edi Rama.

Dita e parë u përqendrua në raportimin e ministrave të rinj të propozuar mbi shmangien e zvarritjeve të qytetarëve në zyrat e shtetit.

Kryeministri Rama shkruajti në fejsbuk se raportimi tregoi se sa shumë u merr kohë burokracia qytetarëve për shërbimet e nevojshme.

Sipas kryeministrit, burokacia në Shqipëri kërkon brenda vitit 4.5 milion certifikata për të kryer punë të shtetasve.

Këtë zoti Rama e quan konsum skandaloz kohe, lekësh dhe nervash dhe premton se do të përfundojë me qeverinë e re.

Kryeministri thotë se brenda 100 ditëve burokracia do të sigurojë vetë çdo certifikatë që i nevojitet qytetarit për një shërbim.

Reformimi i administratës ka qenë kryefjalë si përparësi e mandatit të dytë qeveritar:

“Ka një hendek të madh midis njerëzve të zakonshëm dhe qeverisë. Dhe, këtë hendek e krijon një administratë që në pjesë të konsiderueshme të saj është e kalbur nga pikëpamja e mekanizmave dhe ka shumë parazitë dhe shumë grabitqarë që e bëjnë të pamundur për njeriun e zakonshëm zgjidhjen e një problemi që mund të zgjidhet menjëherë”.

Pas përurimit të Kuvendit të shtunën në 9 shtator presidenti Ilir Meta do të marrë propozimin e Partisë Socialiste për kandidatin kryeministër Edi Rama e mandej dekretimin e qeverisë.

Comment

*