Qeveria e Shqipërisë miratoi kërkesat e studentëve

Tiranë, 6 dhjetor 2018 – Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i ka miratuar të dy kërkesat e studentëve të Universitetit të Tiranës.

Studentët, përmes protestës, kanë kërkuar arsim më cilësor dhe tarifa përgjysmë më të ulëta në arsimin publik.

“Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore të cilën e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që më thotë që për kërkesat 2,3 dhe 4 të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga këshillat studentore, ministria dhe universitetet. Jam dakord dhe besoj që kjo është rruga e duhur që ne të përmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të ndërtojmë një dialog të shëndetshëm me të vërteta, ku bordet e administrimit, senatet dhe çdo aktor tjetër në jetën e universitetit, po ashtu ministria ti bëjë transparente dhe të debatojë me studentët për gjithcka që merret vendim për jetën universitare”, ka thënë ministrja Nikolla, në një tjetër konferencë për media.

Ajo ka thënë se protesta e studentëve i shërbeu asaj si një reflektim për një debat shterues brenda universitetit.

“Më vjen shumë mirë që kam marrë një reagim inkurajues nga disa këshilla studentore. Është e vërtetë që kemi kohë që presim një angazhim edhe më të madh të studentëve për zbatimin e reformës në arsimin e lartë, për modernizmin jo vetëm të sistemit të financimit, por për modernizmin në tërësi të çdo institucioni të arsimit të lartë”, ka thënë ministrja Nikolla.

“Kjo protestë e studentëve tregoi sa pak informacion dhe sa pak komunikim kishte tek studentët. Ndaj më shumë se rëndësia thjesht dhe vetëm për të shfuqizuar pikën 4 të Vendimit të Kryeministrit besoj se kjo protestë e studentëve ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion, shërbeu si një katalizator për një debat shterues brenda universitetit”, është shprehur ajo, citon Ora News.tv. (r.m.)

Comment

*