Qeveria ka një muaj afat ta japë mendimin rreth nismës për zhbërjen e Speciales

Prishtinë, 22 janar 2018 – Qeveria e Kosovës ka afat një muaj që ta japë mendimin e saj në lidhje me nismën e një grupi të deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Por, me apo pa mendimin e Qeverisë, kjo nismë e deputetëve mund të vihet në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës në një afat prej dy muajsh nga data kur është inicuar ajo.

Vendimi që nisma e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale t’i dërgohet Qeverisë është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën.

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kërkesa zyrtare e Kryesisë së Kuvendit nuk ka arritur ende në qeveri.

“Qeveria ende nuk ka marrë një dokument zyrtar nga Kuvendi. Çështja do të trajtohet kur ai dokument të vjen në Qeveri”, ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

43 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryesisht të PDKK-së, AAK-së dhe NISMA-s, kishin kërkuar miratimin e një Projektligji që do të shfuqizonte Ligjin për Gjykatën Speciale. Kërkesa i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit, më 22 dhjetor.

Por, Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur të marrë asnjë vendim lidhur me këtë kërkesë për shkak të mungesës së kuorumit. (r.m.)

Comment

*