Qeveria kërkon zgjidhje për Trepçën

Prishtinë, 4 korrik 2013 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Qeverisë së Kosovës ka kërkuar nga ekspertët vendorë e ndërkombëtarë që gjatë muajit korrik t’i paqesin idetë dhe propozimet e tyre se çka duhet bërë me gjigantin ekonomik të Kosovës, “Trepça”.

“Trepça ka kaluar nëpër kohë të vështira dhe mbetet problem politik, financiar dhe i kërkesave ndaj kësaj ndërmarrje. Kjo ndërmarrje nuk duhet privatizuar, por duhet të fillojë një proces ristrukturimi dhe riorganizimi që mundëson rikthimin e këtij gjiganti në shërbim të ekonomisë së Kosovës”, thuhet në njoftimimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të shpërndarë pas takimit që drejtuesit e kësaj ministrie kanë zhvilluar me ekspertë vendorë, ku është diskutuar mbi qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj “Trepçës”.

Sipas njoftimit, takimi me ekspertë ka rezultuar me propozimin për ristrukturimin e “Trepçës”, për ndarjen e aseteve thelbësore dhe jothelbësore, si dhe për marrjen e rolit drejtues nga ana e qeverisë, gjë që do të mundësonte tërheqjen e investitorëve të huaj.

Aktualisht, Trepça është në procedurë të riorganizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Formalisht, Qeveria e Kosovës nuk ka ndikim në menaxhimin e këtij kombinati.

B.S.

Comment

*