Qeveria ndërhyri në Agjencinë e Akreditimit për llogari të privatëve

Prishtinë, 13 mars 2018 – Një shkresë e ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka zbuluar motivin e tij për shkarkimin e menaxhmentit dhe anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit.

Bytyqi ishte kundër penalizimit të një kolegji privat, pronari i të cilit është nga komuna e Malishevës, prej nga është edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, partisë së cilës i përket edhe Bytyqi, shkruan “Koha Ditore”.

Më 25 shtator, ministri i kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, i cili ka funksionin e Bordit të Agjencisë, si dhe drejtorin e këtij institucioni.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi ishte marrë me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ministri kishte emëruar anëtarët e rinj, por ata nuk e kanë nisur ende punën, për shkak se procedurat kërkojnë që ata të kalojnë në Kuvend.

Por, ai e ka emëruar ushtrues detyre të drejtorit po një njeri nga Malisheva, Bekim Samadraxhën, një punonjës të Ministrisë së Arsimit.

Dhe në ditën e parë të nëntorit, ministri Bytyqi i është drejtuar me një shkresë Samadraxhës, të cilin e kishte nëpunës para se ta instalonte në pozitën e “gardianit” të cilësisë së arsimit të lartë. Nga ai ka kërkuar që të rishqyrtohej vendimi për pezullimin e programeve të ISPE-së.

Në kërkesën që e ka publikuar “Koha Ditore” thuhet:

“i nderuari z. Samafraxha,

Kërkojmë nga ju që në mbledhjen e parë të Këshillit të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ta dërgoni në rishqyrtim, Vendimin e AKA nr. 581/17, dt. 06.07. 2017 për pezullimin e programeve akademike për ISPE, i cili është nxjerrë në kundërshtim me nenin 28 të UA nr. 20/2016, dt. 20.06.2016, i cili nen nuk parasheh procedurë të pezullimit të programeve akademike.

Vendimi i AKA nr. 581/17, dt. 06.07. 2017  pezullon programet akademike si në vijim:

  • Juridik BA (i akredituar në 2012 dhe i riakredituar në 2013 dhe 2016),
  • Shkenca Politike BA (i akredituar në 2013 dhe i riakredituar në 2016),
  • Ekonomik BA (i akredituar në 2012 dhe i riakredituar në 2013 dhe 2016),
  • Studime të Sigurisë BA (i akredituar në 2011 dhe i riakredituar në 2012, 2014 dhe 2016),
  • Studime të Sigurisë MA (i akredituar në 2015).

Me respekt!”

(r.m.)

 

Comment

*