Qeveria nuk heq dorë nga projekti i termocentralit “Kosova e re“

Prishtinë, 14 shtator 2020 – Qeveria e Kosovës nuk ka hequr dorë nga projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re“, pavarësisht tërheqjes së kompanisë amerikane “Contour Global“.

Uran Haxha, zëdhënës në Ministrinë e Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ka thënë se qeveria do të rishikojë projektin dhe modalitetet për realizimin e këtij projekti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk është as në rrugë për të marrë ndonjë vendim për të hequr dorë nga ndërtimi i kapaciteteve zgjeruese me termocentralin ‘Kosova e re’. Sikur është në programin qeverisës 2020 – 2023, qeveria do të rishikojë projektin e termocentralit ‘Kosova e re’. Këto janë modalitete që po diskutohen në secilin instancë dhe për secilin vendim që merret do të jemi transparentë me publikun dhe do t’ju informojmë”, ka thënë Haxha, në një përgjigje Radion Evropa e Lirë.

Përgatitjet për këtë projekt kishin filluar qysh në vitin 2001, ndërsa kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global“ ishte nënshkruar në vitin 2017. Por, në mars të këtij viti, kompanja amerikane pati njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e këtij termocentrali, me arsyetim se ajo ka hequr dorë nga ndërtimi i termocentraleve me thëngjill.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re“, me kapacitet 500 megavatë, ishte paraparë të fillonte këtë vit dhe të vihej në punë në vitin 2023. Ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.

(r.m.)

Comment

*