Qeveria përshtat buxhetin me strukturën e re

Kur nuk ka kaluar ende një muaj nga akti normativ që ndryshoi buxhetin e shtetit, qeveria po përgatit një tjetër ndryshim të shpejtë të ligjit që rregullon financat e vendit.

Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se buxheti do të ndryshohet sërish për të financuar ndryshimet, që do të ndodhin në strukturën e administratës publike.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur strukturën e qeverisë së re, e cila parashikon shkrirjen dhe bashkimin e disa ministrive. Nga ana tjetër plani i qeverisë së re është përgjysmimi i agjencive publike, që sipas saj do të krijojë një aparat publik më efikas për t’ju përgjigjur nevojave të zhvillimit të vendit.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo e bën të domosdoshme ndryshimin e buxhetit të shtetit për të financuar agjencitë dhe institucionet e reja që do të krijohen me strukturën e re qeverisëse, ndërkohë që treguesit makroekonomikë, si borxhi apo të ardhurat nuk do të preken. Përveç ndryshimit të buxhetit, shumë shpejt qeveria pritet të  lirojë edhe tenderat publik.

Që nga marrëveshja politike e majit mes maxhorancës dhe opozitës, qeveria ka kufizuar prokurimet publike duke lejuar institucionet të kryejnë vetëm tenderat emergjentë dhe ata që marrin miratimin e kryeministrit. Masa shtrënguese u zgjat edhe pas zgjedhjeve deri në përfundimin e plotë të tranzicionit.

Burime nga Ministria e Financave thonë se prokurimet pritet të lirohen menjëherë pas formimit të qeverisë së re duke i hapur rrugën zhvillimit normal të tenderave publikë.

/ Top Channel

Comment

*