Qeveria sërish në borxh tek qytetarët, 15 milionë euro ankandi i ri i bonove

Interesi i bonove të thesarit ka pësuar rënie gjatë muajve të fundit, për shkak të rritjes së kërkesës së qeverisë për financime

 

Aristir Lumezi

Qeveria do të marrë sërish borxh te qytetaret e saj një shumë prej 15 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga Banka e Shqipërisë, e cila njofton se më datë 20 gusht do të zhvillohet ankandi i radhës i bonove të thesarit në euro.
Në shitje do të jenë bono me afat 12 mujor me një shumë të përgjithshme prej 15 milionë euro. Këto bono do t’iu ofrohen të gjithë qytetarëve, pasi pjesa e Bankës së Shqipërisë është zero.
Ankandi i fundit i bonove në euro ishte ai i datës 24 korrik, ku qeveria siguroi gjithashtu shumën prej 15 milionë euro. Interesi i bonove të thesarit ka pësuar rënie gjatë muajve të fundit, për shkak të rritjes së kërkesës së qeverisë për financime, reflektimit të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe në kushtet e një kreditimi të dobët dhe në mungesë të alternativave të tjera të investimit financiar.
Kështu, në ankandin e pak ditëve më parë, interesi i bonove 12 mujore në lekë theu rekordin e radhës, duke zbritur në minimumin e ri historik prej 4.87%.
Ndërkaq borxhi publik i vendit është rritur, duke arritur nivelin e 63% të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave, në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, borxhi në tërësi arriti në rreth 872 miliardë lekë, me një rritje prej 6 për qind në raport me fundin e vitit 2012, ose gati 50 miliardë lekë më shumë.

Comment

*