Qeveria thotë se goditja e krimit, krimit të organizuar dhe siguria është më e mira në 30 vjet

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u tha deputetëve në interpelancë se prodhimi dhe trafiku i lëndëve narkotike drejtuar nga Shqipëria për në Europë është më i ulti në histori

Knid Ndrenika

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se në Shqipëri ka rënë dukshëm numri i vrasjeve, krimit në tërësi dhe veçanërisht prodhimi i lëndëve narkotike.

Ministri Lleshaj theksoi se goditja kundër krimit dhe gjendja e sigurisë është me mira në thuajse 30 vjet.

Po ashtu, sipas ministrit, operacioni “Forca e Ligjit” ka tronditur themelet e krimit të organizuar.

Duke u mbështetur te statistikat, ministri i Brendshëm tha se Shqipëria ka tregues më të mirë se sa shumë vende të Bashkimit Europian:

“Niveli i rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri është në parametrat më të mirë historikë në tre dekadat e fundit. Prodhimi dhe trafikimi i kanabisit nga Shqipëria ka rënë në minimumet historike! 900 kilogramë Italia, ndërkohë që kemi patur edhe 60 ton, edhe 30 ton, edhe 40 ton. Numri i vrasjeve për 100 mijë banorë në Shqipëri është në 1,7 nga 1,2 që është mesatarja e Bashkimit Europian. Vende anëtare të Bashkimit Europian e kanë shumë herë më keq”!

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u paraqit në interpelancë mesditën e kësaj të hëne përpara deputetëve.

Comment

*