Qytetarët e Kosovës mbajnë në banka mbi 3 miliardë euro

Prishtinë, 13 tetor 2018 – Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës, deri në tetor të këtij viti ka arritur në mbi 3 miliardë euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës.

Nga kjo shumë, më shumë se 2.2 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, derisa ndërmarrjet kanë të depozituara mbi 750 milionë euro. Vlera e valutave të tjera të kursyera nga qytetarët e Kosovës arrin shumën e 154 milionë euro.

Vlera e depozitave e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në mbi 2.6 miliardë euro, ku ekonomitë familjare kanë rreth 1 miliardë euro kredi në bankat komerciale, derisa ndërmarrjet kanë mbi 1.6 miliardë euro.

Kjo shumë e madhe e mjeteve të kursyera në raport me kreditë nga ekspertë të fushës dhe përfaqësues të bizneseve shpjegohet në mënyra të ndryshme.

Eksperti i çështjeve financiare, Milazim Abazi thotë për Radion Evropa e Lirë se vlera e depozitave do të duhej të ishte në raport me kredidhënien.

“Depozitat po rriten shumë më ngadalë se sa kreditë. Qytetarët më shumë po kanë kërkesa kreditore se sa janë mundësitë e bankave për të dhënë kredi për shkak të rritjes së ngadalshme të depozitave apo kursimeve. Derisa, kursimet janë rritur 6 për qind në vit kërkesat për kredi janë rritur rreth 15 për qind”, thekson Abazi.

Sipas tij, Kosova në krahasim me vendet e rajonit ka nivelin më të ulët të depozitavepër kokë banori. Ai shton se bankat komerciale do të duhej të rrisnin interesin në depozita në mënyrë që qytetarët të arrijnë të kursejnë edhe më shumë.

“Ulja e interesit në depozita ka ndikuar që të mos rriten me ritmin e duhur. Nëse bankat i rrisin interesin në kursime qytetarët do të kursenin më shumë dhe kjo më pas do të mundësonte që bankat të rrisin potencial për kredidhënie”, thekson Abazi.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, interesi për depozitat është vetëm 1.5 për qind, derisa kamatat për kredi sillen nga 6 deri në 7.7 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe banka komerciale.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit thekson se është e dyshimt nga vjen kjo rritje e depozitave në një vend ku papunësia dhe varfëria është e lartë.

“Ekonomia jo ligjore, korrupsioni dhe çrregullimet në një treg financiar të pakontrolluar rritin depozitat, mjete këto të cilat vinë në forma të ndryshme në llogaritë bankare të individëve të caktuar dhe të bizneseve. Në Kosovë flasim që ka papunësi e varfëri, por këto depozita falsin diçka tjetër”, thotë Shahini.

Shuma e mjeteve materiale të kursyera të qytetarëve në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, është më e madhe se sa buxheti i përgjithshëm i vendit.

Përderisa buxheti për vitin 2018, kap shifrën e mbi 1. 8 miliardë euro, depozitat e qytetarëve janë mbi 3 miliardë euro.

Përgjegjës për sigurimin e depozitave është Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës. Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave për një depozitor, person fizik apo juridik, në një bankë është 5 mijë euro.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

Comment

*