Qytezat me plazhe: “Zonë e ndaluar” nëse vjen nga New York City!

Plazhi Smith Point (Fotografi nga Mr.TinDC, në Flickr)

Në New York janë hapur plazhet, por në New York nuk janë hapur. Shteti dhe Qyteti ku banojmë kanë të njëjtin emër por për shumë gjëra kanë qenë gjithmonë dy botë të ndryshme. Këtë Fundjavë të Përkujtimit, po ndahen edhe në një pikë tjetër: statusin e plazheve të tyre.
Guvernatori Cuomo ka udhëruar hapjen e plazheve, kurse kryebashkiaku de Blasio nuk e ka lejuar në New York City.
Kjo në fakt, do të thotë se plazhet janë të mbyllura vetëm për të varfërit dhe ata që varen nga transporti urban. Kush ka makinë mund të shkojë pranë plazheve, ku ecja përgjatë bregut lejohet, kurse larja në det jo.
Nëse shihni më pak policë në New York City do të thotë se disa kanë shkuar të ruajnë detin se mos hyn njeri. Një tjetër urdhër politik që të bësh të kruash kokën në metropolin më të famshëm të botës.
Banorët e Qytetit janë miq të paftuar edhe në plazhet jashtë zonës urbane. Qyteza pas qytezash me plazhe afër kanë nxjerrë urdhëra për të ndaluar vërshimin e turmave imagjinare nga Qyteti Plazhembyllur. Nëse nuk ke targë lokale në makinë nuk lejohet parkimi afër plazhit. Nuk mund të hysh aty.
As në Long Island, as në Jersey Shore, New Jersey, e as në ca vende në Connecticut. Disa zyrtarë lokalë thonë se nuk kanë gjë kundër njujorkezëve, po e kanë inatin me kryebashkiakun de Blasio që duke mos hapur plazhet rrezikon të përmbysë plazhet e tyre.
Një ekzekutiv i pushtetit lokal në Suffolk, Steve Bellone, ndaloi hyrjen e atyre që nuk janë banorë të zonës, në dy plazhet e kontesë së tij dhe Smith Point, në Fire Island dhe Cupsogue Beach, në Hamptons.
“Kjo nuk ka të bëjë me ndjenja inati – po me nevojën për të mbajtur kapacitetin të ulët”, tha ai.
Senatori i Shtetit, demokrati Todd Kaminsky, në Long Island, tha: “Sapo New York City të bëjë veprimin e duhur dhe të hapë plazhet, Long Island do të mirëpresë përsëri fqinjët e tij sa kohë që mbahen volume të sigurta”.
Sot, ishte ditë shiu, kështu që mbase ka pasur pak rëndësi, po këto masa nuk po kalojnë pa u vënë re në New York City.
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Donovan Richards, që përfaqëson zonën e Rockaways, tha se në Queens vijnë gjithmonë banirë nga Long Island që parkojnë në rrugët tona për të shkuar në Rockaway Beach.
“Mbase duhet të fillojmë t’i detyrojmë të paguajnë për parkimin. Në një kohë kur duhet të bashkohemi, at apo heqin viza duke krijuar perceptimin se New York City po infekton gjithë të tjerët.
Kurse këshilltari bashkiak Justin Brannan, që përfaqëson disa pjesë në Brooklyn tha se kufizimet ishin mesazhi më i keq për kohën tonë.
“Këta vijnë në Qytetin tonë dhe gëzojnë ato që ofrojmë me taksat tona, kurse tani nuk na lënë në plazhet e tyre?!”
Në SHBA, stina e plazhit fillon tradicionalisht në Fundjavën e Përkujtimit, kur dita e hënë është pushim si Festë kombëtare e Përkujtimit (Memorial Day). Kryebashkiaku de Blasio nën presion ka thënë se plazhet mund të happen në qershor.

Comment

*