Radika, Gruevski: Nëse projekti shkakton dëme, do të ribëhet

“Po qe se studimi ekologjik që përgatit Banka Botërore tregon se dëmtohet ambienti dhe qytetarët, duke përfshirë edhe fqinjët, kuptohet se do të përmbahemi nga ky projekt ose do ta ribëjmë, në kuptim që të eliminohet shkaktimi i dëmeve”

 

Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, është shprehur gjatë seancës së pasdites së Kuvendit maqedonas në lidhje me projektin e Hidrocentralit në fushën e Lukovës.
“Qeveria asnjëherë deri më tani as në të ardhmen nuk do të bëjë projekte, me të cilat do te dëmtojë qytetarët”,  u përgjigj kryeministri Gruevski, deputetes së BDI-së, Julieta Marku në lidhje me pyetjen nëse ekziston projekt i quajtur Fusha e Lukovës, dhe nëse ky është real apo jo.
Zoti Gruevski u shpreh se qeveria projektin e mendon në bashkëpunim me Bankën Botërore, e cila në njëfarë mënyre duhet të marrë pjesë në konstruksionin financiar. Zoti Gruevski ndër të tjera u shpreh: “Para se të merret vendim përfundimtar për këtë duhet të bëhet studim ekologjik në të cilën do të shihet nëse do të ketë dëme mbi mjedisin jetësor në këtë rajon”.
Më pas ai vazhdoi: “Po qe se studimi ekologjik që përgatit Banka Botërore tregon se dëmtohet ambienti dhe qytetarët, duke përfshirë edhe fqinjët, kuptohet se do të përmbahemi nga ky projekt ose do ta ribëjmë, në kuptim që të eliminohet shkaktimi i dëmeve”, tha Gruevski.
“Nëse me të vërtetë tregon se ka probleme, theksoi Gruevski, kjo do të tregohet dhe normalisht projekti ose do të anulohet, ose ridefinohet, respektivisht do të eliminohen krijuesit e mundshëm të çfarëdo dëmi”, u shpreh Gruevski sipas “Zhurnal”
Zëvendëskryeministri maqedon Vladimir Peshevski u shpreh:  “Projekti ka marrë dimension politik në mënyrë të panevojshme, si dhe se nuk janë të sakta pohimet se me të do të thahen ujërat e lumit Radika, respektivisht se Radika do të mbetet pa ujë, do të bëhet lumë i thatë, ndërsa uji do të riorientohet. Të pasakta janë edhe pohimet e motivuara nga qëllimet politike se me projektin do të prishen konventat ndërkombëtare” u shpreh zoti Peshevski. E. Mazniku

Comment

*