Rama do ta dërgojë sërish për dekretim emrin e Sandër Lleshit

Tiranë, 8 nëntor 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nesër do t’i dërgojë sërish Presidentit Ilir Meta dekretin për emrin e Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm.

Ai ka thënë se letra që do t’i dërgohet Metës për dekretim do të jetë i shoqëruar me një relacion shterues për Sandër Lleshin.

“Nesër do t’i dërgoj Presidentit Meta dekretin për Sandër Lleshin me një relacion shterues për të. Besoj që pas 7 ditësh Presidenti Meta do të bindet për dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, sepse nëse nuk ka asnjë axhendë personale, nuk ka asnjë motiv që ta refuzojë dekretin. Letra e Presidentit nuk ka pasur asnjë referencë Kushtetuese, por vetëm ka deklaruar se nuk kam bindjen për Sandër Lleshin”, ka thënë Rama.

Ai ka paralajmëruar se refuzimin e Metës për Sandër Lleshin do ta depozitojë në Gjykatën Kushtetuese të hënën, ndërsa përgjigjia do të jepet kur kjo gjykatë të bëhet funksionale, në mënyrë që refuzimi i dekretit nga Presidenti të mos krijohet precedent.

Rama ka shtuar se deri të shtunën Meta ka qenë një President “korrekt”.

Duke folur rreth takimit me Metën, Rama ka thënë se nuk ka pasur asnjë temë tjetër bisede, përveç çështjes së Lleshit.

“Në 90 minuta bisedë, Presidenti nuk ka hapur asnjë bisedë tjetër me mua”, ka thënë Rama. (r.m.)

Comment

*