Rama: Investitorët italianë në Shqipëri mund të gjejnë në Amerikën

Në fjalën e tij në ceremoninë e çeljes së Javës Italiane në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se në Shqipëri mund të fitohet më shumë se në Itali, pasi paguhen shumë më pak taksa dhe ka më pak burokraci

Aristir Lumezi

 

Kryeministri Rama i ftoi investitorët italianë të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri e duke bërë një paralelizëm me filmin “L’America” të Xhani Amelios, që tregonte ëndrrën e emigrantëve shqiptarë drejt Italisë në fillim të viteve ‘90, tha se ata mund ta shohin Shqipërinë si Amerikën.

 

“Investitorët italianë këtu mund të gjejnë Amerikën.” tha kryeministri Rama i pranishëm në hapjen e edicionit “Java italiane në Shqipëri”.

 

Kreu i qeverisë kërkoi nxitjen e shkëmbimet tregtare me vendin fqinj që gjendet shumë afër Shqipërisë.

 

“Jemi të parët në dashurinë për Italinë dhe të fundit në shkëmbimet tregtare me Italinë. Jemi më afër dhe të tjerët kalojnë mes nesh por vendi më i largët që shkëmbejnë mallra e kapitale” u shpreh Rama.

 

Në fjalën e tij në ceremoninë e çeljes së Javës Italiane në Tiranë, kryeministri tha se në Shqipëri mund të fitohet më shumë se në Itali, pasi paguhen shumë më pak taksa dhe ka më pak burokraci.

 

“Po ashtu, në Shqipëri ka shumë më tepër nevojë për punë dhe shumë më pak kosto të punës se sa në Itali”, shtoi Rama.

 

“Ne besojmë shumë se nëse do të arrijmë të kapërcejmë murin e paragjykimeve, në katër vitet e ardhshme do të kemi një transformim rrënjësor të këtij volumi”, u shpreh kryeministri.

 

Rama u shpreh kritik, se megjithë dëshirën e mirë për bashkëpunim mes palëve, shifrat e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare me Italisë, e rendisin Shqipërinë të fundit mes vendeve të rajonit.

 

“Dua të shpresoj shumë që prania e 170 sipërmarrjeve këtu për këtë Javë të rëndësishme Italiane është një gur themeli për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë realisht vendi ku një fluks i ri investimesh italiane do të derdhen”, shprehu optimizëm kryeministri.

 

Në kuadër të nxitjes së shkëmbimeve me Italinë Rama foli për një problem të vjetër që duhet zgjidhur, siç është ai i një takse diskriminuese, që daton nga viti 1958.

 

“Kjo taksë qëndron aty si një pengesë shumë e madhe për investitorët që transportojnë mall në Itali dhe që ju duhet të paguajnë një taksë katër-pesë herë më të lartë se gjithë transportuesit e tjerë në rajon, etj”, tha ai.

 

Kryeministri u ndal tek angazhimi i qeverisë për nxitjen e klimës së biznesit vendas dhe të huaj dhe krijimin e perspektivave të reja për të, përmes krijimit të strukturave të posaçme, si Këshilli Ekonomik Kombëtar, ndërsa është në formim e sipër Këshilli Kombëtar i Investimeve.

 

“Po ashtu kemi krijuar grupin e nxitjes së biznesit italian, i mbështetur nga deputetë të Kuvendit, që janë një lloj ‘eskorte politike’ për lehtësimin e komunikimit me investitorët, duke ushtruar presion pozitiv mbi qeverinë për të gjitha rastet kur duhen përgjigje që vonojnë.

 

Kryeministri vuri në dukje angazhimin e qeverisë, se krahas interesimit për biznesin fason, të nxisë investimet italiane edhe në sektorin e energjisë, të minierave, turizmit e veçanërisht bujqësisë.

 

“Momenti kur investitorët italianë do t’i kthejnë realisht sytë nga bujqësia dhe do të shohin nga afër potencialin e madh të zhvillimit dhe përfitimit në këtë sektor ne do të kemi të njëjtin efekt zinxhir si në sektorin e manifakturës”, tha Rama.

Comment

*