Rama në Kosovë, për të biseduar rreth aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit

Prishtinë, 29 qershor 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, arriti sot në Kosovë, në një vizitë dy-ditëshe, ku do të takohet me autoritetet shtetërore e politike.

Vizita e Ramës në Kosovë realizohet pas njoftimit të Zyrës së Prokurorisë së Specialiizuar në Hagë se ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është paraqitur aktakuzë për krime të luftës në Kosovë.

Kjo aktakuzë pritet të jetë temë kryesore e takimeve të Ramës me autoritetet shtetërore e politike të Kosovës.

Rama ka paralajmëruar edhe vetë se vjen në Kosovë për të biseduar lidhur me ngritjen e aktakuzës, të cilën ai e quan “fletërrufe“ dhe “njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë“.

“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, tha Rama përmes një postimi në Tëitter.

Edi Rama ka dalë në mbrojtje të Thaçit e Veselit, ndërsa e ka akuzuar Zyrën e Prokurorisë Speciale se është ndikuar nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, për të njollosur luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Tani çështja i kalon gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të vërtetojë aktakuzën, do të kërkojë prova shtesë ose do ta hedhë poshtë aktakuzën sit ë pabazë.

Thaçi, i cili ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbante një takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtohet sonte opinionit në lidhje me aktakuzën.

Të premten, në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Thaçi ka thënë se akush “nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, ndërsa Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta.

(r.m.)

Comment

*