Rama: Ne vendosim vetë. Nuk jemi zgjedhur që të vendosni ju

Tiranë, 21 maj 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në seacën plenare të parlamentit, ka folur për opozitën dhe për situatën politike në vend.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se nuk është shumë i zoti për konsensus dhe se ai është i politikës së bindjeve dhe të luftës për bindjet.

”Habitem si nuk na keni njohur akoma se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Dikush më çoi një mesazh dhe më tha: ‘ mirë që nuk u lodhe, por nuk u mërzite 21 vjet dhe nuk iu ndave deri sa e prishe’. Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Unë nuk kam ardhur dhe as nuk rri në politikë për të kapur ça të kap, por për të bërë sukses dhe për të luftuar për bindjet e mia. Nuk jam shumë i zoti për konsensus dhe nuk më vjen zor për këtë, sepse jam i politikës së bindjeve dhe i luftës për bindjet. Duke u kthyer tek dhimbjet ia vlen që të flitet sepse dikush që nuk ka lidhje fare”, është shprehur Rama, citon Balkanweb.

Si rëndom, gjatë fjalimit të tij të gjatë, nuk kanë munguar edhe shpotitë për  kundërshtarët e tij politikë.

”Çdo njeri ka një dobësi dhe dobësitë njerëzore dalin me shpirtin dhe kur dobësia është që mbi të gjitha vjen gjumi dhe kapesh në gjumë teksa je duke ëndërruar se tanimë ke triumfuar dhe hap sytë e sheh që kalaja ka rënë, ka shumë dhimbje, ka dëshpërim. Dhe është një dëshpërim i pangushëllueshëm, sepse ngushëllohet dëshpërimi i atij dhe atyre që humbin në një betejë kur kanë përcaktuar rrugën dhe objektin, por jo i atyre që kanë zgjedhur një betejë në rrugën e gabuar dhe në godinën e gabuar se nuk po shtoj me kundërshtarët e gabuar”, është shprehur Rama.

Siç ka qenë e pritshme, pjesëm më të madhe të fjalës së tij në Kuvend ia ka kushtuar shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe reagimeve lidhur me këtë veprim.

Ai ka theksuar se prej 21 vjetësh ka pritur që në vend të teatrit të shembur të ndërtohet një teatër i ri.

”Janë 21 vjet që pres momentin kur do të pastrohet ajo fushë për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar që do të jetë një teatër i denjë, për ata shumë pak njerëz që shkojnë në teatër dhe që duhet të shtohen… Teatri i ri do të ndërtohet aty”, ka theksuar ai.

Por, Rama ka dalë edhe me një idenë për ndërtimin e një teatri për fëmijë në një hapësirë tjetër, sipas projektit të Teatrit Kombëtar të shembur.

”Ka njerëz që më kanë bërë të reflektoj për këtë situate. Projektin origjinal ne  do ta marrim dhe do t’ua rikthejmë fëmijëve, si pjesë e një programi më të madh. Do ta kemi mes nesh dhe atëherë do të shikojmë pelegrinazhin që do të bëhet për të shkuar tek ajo godinë”, është shprehur ai.

Kryeministri Rama i ka shpërfillur kritikat për mungesë të debatit lidhur me projekte të rëndësishme. Ai ka bërë të qartë se mazhoranca socialiste do të vendosë vetë për këto projekte dhe nuk do të përfillë aspak opozitën.

”Ne e vendosim vetë këtë. Përse e vendosim vetë këtëf?… E vendosim sepse jemi zgjedhur që të vendosim, nuk jemi zgjedhur që të vendosni ju”, është shprehur ai.

(r.m.)

Comment

*