Rama: Nuk ka debat me aktorët, Teatri s’është pronë e tyre

Tiranë, 2 korrik 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mbyllur debatin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Ai ka thënë se nuk është çështja a duhet ndërtuar Teatër i ri, por si duhet bërë ai.

“Pyetja e vërtetë që duhet bërë në funksion të historisë dhe të ardhmes së artit shqiptar nuk është a duhet të ruhet ngrehina absurde e Teatrit Kombëtar apo duhet të ndërtohet një Teatër i ri me parametra më në fund optimale në territorin e saj. Nuk është kjo pyetja e vërtetë dhe nuk ka asnjë sens që të jetë ky shqetësimi i aktorëve dhe regjisorëve të këtij vendi të cilët kanë të drejtën legjitime të kërkojnë një sistem të besueshëm konkurence dhe merite dhe kushte optimale për të bërë punën e tyre dhe nuk kanë sesi të marrin të drejtën e vendimmarrjes mbi ruajtjen e një godinë të vjetër apo ndërtimin e një godine të re në vend të saj”, ka thënë Rama, në ceremoninë e inaugurimit të “ArTurbinës”, që do të funksionojë si godinë e Teatrit Kombëtar deri në përfundimin e ndërtimit të godinës së re në vend të godinës aktuale.

Ai ka thënë se teatri nuk është pronë as e aktorëve dhe as regjisorëve, kurse vendimi për teatrin dhe godinën e tij u takon vendimarrësve dhe ekspertëve.

“Një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar nuk është pronë private, pronë ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit por është një mjedis i krijuar për publikun dhe u takon vendimmarrësve të votuar nga qytetarët që në bashkëpunim me specialistët e fushës. Kur flitet për godina, nuk janë aktorët dhe regjisorët por janë arkitektët, planifikuesit dhe natyrisht edhe debati me aktorët dhe regjisorët për si të jetë më e mirë godina është e domosdoshme por nuk ka debat a duhet a nuk duhet”, është shprehur Rama.

Sipas tij, Qeveria ka gatishmërinë të diskutojë me krijuesit dhe interpretuesit e skenës se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë projekt.

“Shqipëria ka mbetur sot e gjithë ditën i vetmi vend në Europë dhe në rajon pa një skenë të denjë të Teatrit të vet Kombëtar”, ka thënë ndër të tjera Rama.

Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka vazhduar mbledhjen e firmave për peticionin në të cilin i kërkohet Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë Ligjin për Teatrin. (r.m.)

Comment

*