Rama paralajmëron ligj më të rreptë kundër dhunës në familje

Tiranë, 9 tetor 2019 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se qeveria e tij do të dalë së shpejti me një projektligj për mbrojtjen e grave nga dhuna.

“Shumë shpejt, për një muaj e gjysmë, do të kemi një propozim të rreptë sa i përket dhunuesve dhe autorëve të dhunës në familje. Burrat duhet të marrin përgjegjësi. Dhuna ndaj grave është një krim i rëndë”, tha Rama.

“Ligji është përmbledhje e të gjitha frikërave tona. Duhet të kemi një ligj që të inkuadrojë të gjitha frikërat e burrave, në mënyrë që të kemi gra më të lira”, shtoi ai.

“Nëse shohim përqindjen e grave që fitojnë raste në gjykata është për të ardhur turp. E rëndësishme është që të shkojmë në një nivel më tej, me lart në kuadrin ligjor dhe me instrumentet që luftojnë dhunën në familje”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë i bëri këto deklarata në Forumin Rajonal “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, që po mbahet në Tiranë.

Rama u lavdërua për përfdshirjen e grave në qeverinë e tij dhe foli në superlativ për punën e grave në institucionet sbtetërore.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Sot kemi 50% të këshillave bashkiakë me përfaqësi grash, në qeveri kemi më shumë gra se sa burra. 60% e pozicioneve drejtuese tona në administratën publike mbahen nga gratë. E gjitha kjo është një meritë”, u shpreh ai.

“Nëse doni të punoni realisht dhe nëse doni që gjërat të bëhen është më mirë të zgjidhni gratë. Ato  janë një garanci më e madhe”, shtoi ai.

(r.m.)

Comment

*