Rama: Për çfarë janë tronditur 8 eurodeputetë të Partive Popullore kur votojmë Kodin Zgjedhor?!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare
Duke qenë se zonja Hajdari solli këtu shqetësimin për naftëtarët në Ballsh, unë dua të sqaroj zonjën Hajdari dhe të tjerët që njësoj si ajo flasin për vete, kur ju referohen hallexhinjve të këtij vendi, se hallet e njerëzve nuk zgjidhen me padituri dhe nuk zgjidhen duke gënjyer. Natyrisht, unë nuk kam asnjë arsye të mendoj, zonja Hajdari, se ju gënjeni me vetëdije, por gënjeni nga padituria. Ju thoni që nafta aty po vidhet, ndërkohë që fabrika është e fikur, nuk përpunon asnjë gram naftë. Ndërkohë që, nga ana tjetër, fabrika përpunon naftën që nxirret nga kompania, e cila eksploron fushën pranë, në Patos-Marinzë. Kompania është private, është e huaj dhe për sa kohë fabrika është e fikur, kompania, naftën që nxjerr e çon në treg, ashtu siç mendon ajo.
Si vidhet nafta dhe kush e vjedh në këtë rast, kur këtu bëhet fjalë për një kompani private, nga njëra anë dhe një rafineri të fikur, nga ana tjetër?
Ju thoni që fabrika nuk punon se ata s’marrin rrogat. E kundërta është ë vërtetë. Ata nuk marrin rrogat, sepse fabrika nuk punon.
Është e rëndësishme që në përpjekjen tuaj të sinqertë, besoj, për të ndihmuar njerëzit, të përgatiteni kur merrni përsipër t’i ndihmoni se nga dëshira për të ndihmuar, por nga padija, mund të bëni më shumë dëm sesa mirë.
Ndërkohë që, nga ana tjetër është e pavërtetë kjo që thoni ju, që unë hesht, bëj sikur nuk dëgjoj, apo ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë. Ne dëgjojmë dhe dëgjojmë shumë mirë, por ka një problem. Është një kompani private, rafineria nuk është e shtetit, sepse është privatizuar në mënyrë skandaloze, dihet botërisht, nga qeveria e ish partisë suaj e qysh atëherë, ajo nuk është më në duart e shtetit, është në duart e privatit dhe punonjësit e një ndërmarrje private, e cila falimenton, trajtohen nga shteti me asistencë sociale. Ky është detyrimi që ka shteti, asistencë sociale.
Çështja është që ne jemi shumë të dëgjueshëm ndaj hallit të tyre. E dimë shumë mirë që ata nuk janë aty, sepse duan asistencë sociale, se mund ta kishin që ditën e parë, por asistenca sociale implikon edhe largimin përfundimtar prej aty. Ata duan pagat. Nga kush i duan pagat, nga shteti? Si mund të jetë kështu, që një ndërmarrje private falimenton, punonjësit e saj futen në grevë dhe i kërkojnë shtetit të bartë si trashëgimi problemin që e krijon kompania private! Nuk jemi më në komunizëm, qysh se i ndjeri dhe i nderuari babai juaj, bashkë me të tjerët vendosën ta rrëzojnë komunizmin. Nuk shoh ndonjë arsye për t’u penduar për atë ndryshim, përkundrazi, por ama është një arsye për të kuptuar që marrëdhëniet e punës dhe marrëdhëniet mes individit dhe shtetit kanë ndryshuar. Këtë gjë, nganjëherë për njëmijë e një arsye, njerëzit në grupe të caktuara, apo në momente të caktuara nuk duan ta kuptojnë.
Thënë të gjitha këto, unë po përsëris çdo ditë dhe mbase dhe ju më ndihmoni mua, meqë keni kontakt me zonjat atje, që ato të ndalojnë grevën, ta mbyllin grevën dhe unë të shkoj atje menjëherë e ta qajmë hallin bashkërisht.
Pse duhet ta mbyllin grevën? Sepse qeveria normalisht, por kjo qeveri veçanërisht, nuk bashkëbisedon nën presion. Nuk mund t’i lejojmë vetes, me gjithë dhimbjen dhe sinqerisht e them, dhe respektin për hallin e atyre grave, që këtu të krijohet precedenti që, nëse je i pakënaqur me sipërmarrësin në kompaninë ku ti punon, apo je i lënë në baltë prej tij, të futesh në grevë dhe merr ato që kërkon pa pranuar as të dëgjosh arsyen e tjetrit dhe tjetri në këtë rast nuk është një palë tjetër, është qeveria, e cila administron kontributet e të gjithë shqiptarëve.
Përfitoj nga rasti t’ju ftoj dhe ju që të bashkoheni me mua në përpjekjen që zonjat ta mbyllin grevën e të mos humbasin kohë, sepse përsa kohë do të rrinë aty, nuk ka bashkëbisedim, nuk ekziston, nuk do të ndodhë. Është parimore dhe në këtë linjë parimore, unë nuk mund të lëviz dot, jo se nuk dua unë personalisht, por sepse nuk duhet për parimet mbi të cilat funksionon shteti, raporti individ-shtet, në këtë sistem që kemi zgjedhur dhe mbi të cilat funksionon kjo qeveri.
E kanë provuar dhe të tjerë më parë që këtë qeveri, këtë shumicë ta sfidojnë me presion. Nuk funksionon, është shumë e thjeshtë. Nuk funksionon. Ilir Meta mendon që funksionon, e ka gabim, nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar derisa unë të jem në këtë detyrë.
Me naftëtarët e Ballshit, ne jemi gati në moment, sapo ata të mbyllin grevën. Në fund të fundit, greva e urisë për çfarë bëhet?
Për çfarë u fut Azen Hajdari në grevë urie (se është futur njëherë në grevë urie)? Për t’u dëgjuar, jo për të vdekur.
Për çfarë u futëm ne në grevë urie?
Për t’u dëgjuar, për të shtruar problemin në një tryezë me palën tjetër, e cila ishte qeveria e partisë suaj. Jo për të dërguar një ultimatum e për të thënë “zbatoni 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, përndryshe nuk dalim që këtu, përveçse të vdekur”.
Atëherë, në këtë rast nuk ka nevojë, sepse ne, jo vetëm që i kemi dëgjuar, madje, në mënyrë të vazhdueshme, – zëvendësministri i Energjisë ka qenë vijimisht atje, më parë, – kemi qenë shumë të dëgjueshëm. Tani është shumë e thjeshtë. Kemi dëgjuar nga larg, jemi gati të ulemi me arsye. Me ultimatume dhe me presione, “këto janë pagat, paguaji se ndryshe ne nuk dalim nga greva”, nuk funksionon, është e pamundur. Funksionon kështu në një familje? Çohet dot një anëtar i familjes apo dy e t’i thonë pjesës tjetër të familjes “o do bëni këto që themi ne, o ne do hedhim në erë shtëpinë”?
Nuk funksionon, shumë e thjeshtë.
Këtu çështja është, jo që po vidhet nafta, zonja Hajdari, por që nafta nuk po përpunohet. Natyrisht, rafineria e fikur nuk prodhon dot as të ardhurat që duhen për të paguar punëtorët. Si zgjidhet kjo?
Kjo zgjidhet në dy rrugë paralele.
Njëra rrugë është me punëtorët, me arsye, çfarë kemi ne mundësi të bëjmë, si mund ta bëjmë, në sa kohë dhe me çfarë hapash mund ta bëjmë. Dhe këtë mund ta diskutojmë.
Rruga tjetër është të bëjmë atë që po bëjmë çdo ditë, që të gjejmë investitorë të interesuar që të mund ta marrin përsipër këtë gjë. Nuk është pronë e shtetit. E ka një bankë dhe grupe që ikin e vijnë.
Përsa i përket Ilir Metës, sot ai e ka ftuar Parlamentin të rrëzojë dekretin e tij, duke e sfiduar Parlamentin dhe jo vetëm duke sfiduar ata që votuan “pro”, por dhe ata që votuan “kundër”, në integritetin e tyre, jo si persona, por si anëtarë të këtij Parlamenti.
Sipas Ilir Metës, ky Parlament nuk ka legjitimitet për të bërë punën e tij, sepse sipas Ilir Metës, ju që jeni këtu zëvendësues të atyre që ishin këtu, ju kam sjellë unë me Taulant Ballën dhe në bashkëpunim me disa alienë. Ju kemi gjetur në Hënë, ju kemi gjetur në Mars, madje, ndonjërin këtu e kemi gjetur edhe në Jupiter. Prandaj nuk arrin dot akoma të artikulohet.
Por, në fakt, jo.
Të gjithë ju që jeni këtu,  keni ardhur me firmën e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit. Këta të dy kanë firmosur për ju. Madje, dhe më keq akoma, për disa nga ju ka firmosur doktor Peço Vasili. Pra, ju keni ardhur këtu me recetë nga doktor Peço Vasili.
Tani, Ilir Meta thotë ju nuk ekzistoni. Sipas meje, ju jeni një aksident i dobishëm në këtë fazë, sepse falë jush dhe bashkëpunimit me ju, ne kemi arritur të bëjmë atë që s’do e kishim bërë dot, nëse këtu do ishte Monika, Luli dhe shokët e tyre që nuk duan zgjedhje.
Luli është në pritje që biologjia të kryejë rotacionin. Pra, për arsye biologjike, moshe apo goditjesh në sistemet e mia të frymëmarrjes, apo qarkullimit të gjakut, apo përpunimit të ushqimeve, unë të largohem nga jeta dhe Luli, si pasojë e biologjisë, bëhet kryeministër. Se një tjetër program unë nuk e shoh. Vizioni është i qartë, “Rama Ik, program s’ka”. Ndërsa strategjia është “Prit biologjinë”. Ndërkohë që pret biologjinë, vazhdon bën hajgare me aritmetikën. Sot pashë që tha 60 pa 15 bëjnë 50. E kishte fjalën për tamponët.
Ndërkohë që Ilir Meta ka një problem tjetër shumë të qartë. Një problem aq i qartë, saqë është e dhimbshme nga ana njerëzore ta shikosh katandinë e një individi, të cilit Shqipëria i ka dhënë atë që nuk i ka dhënë askujt, qysh nga dita e parë pas ngritjes së flamurit të pavarësisë, që nga Ismail Qemali e të gjithë të tjerët me radhë në krye apo përreth nuk kanë marrë nga Shqipëria atë që ka marrë Ilir Meta. Edhe kryeministër 30 vjeç, edhe kryeparlamentar 40 vjeç, edhe president 50 vjeç.
Tani për të 60- at, çfarë kërkon ky? Të bëhet mbret? Apo të bjerë dëshmor?
Çfarë kërkon ky, që kërkon të na bindi deri në absurdin më të madh që presidenti ka të drejtë të vendosë tabelë emulacioni tek Varrezat e Dëshmorëve e të thotë kush janë dëshmorët e dalluar? Se kjo është tabelë emulacioni. Atje janë të gjithë heronj, janë të gjithë dëshmorë, kanë titullin më të lartë që mund të japë një vend për bijtë e vet dhe Ilir Meta, me një tabelë emulacioni në krah, me një trastë me verdhushka në dorë, me ca të tjerë rreth e rrotull që bëjnë ato ritualet, shkon dhe u shpërndan medalje si të dalluar mes heronjve. Nuk e ka bërë asnjë në botë këtë, asnjëherë. As mbretërit, as perandorët, as princat, as kancelarët, presidentët e tjerë jo e jo, që t’u japin medalje atyre që kanë rënë në fushat e luftës apo në fusha të tjera të jetës në krye të detyrës, para 50 apo 100 vjetësh. Nuk ndodh dhe është e pamundur të ndodhë.
Ilir Meta kërkon të na thotë jo vetëm që ndodh, por që kjo është gjëja e duhur. Tek kjo shfaqje e një shkarjeje ledhi të rëndë, unë shoh arsyen pse vjen këtu refuzimi për ligjin zgjedhor, për zgjedhjet që bëhen në prill të vitit të ardhshëm, jo në prill të pas 3 viteve. Natyrisht që, nëse do t’i besonim Monikës, me ligjin që ne sot rikonfirmojmë, LSI merr 100 mandate, ndërsa, po të mos e rikonfirmojmë këtë ligj, merr 80. Kuptohet, bashkë me Lulin, se dhe ky është problem më vete. Sepse ligji që ne kalojmë, e bën të qartë për njerëzit se ku të votojnë, për kë të votojnë dhe se ku përfundon vota e tyre. Mirëpo, deri më sot, vota ka qenë voto Lulin, por e ke si ato mrokllat Kinder; hap çokollatën të del Ilir Meta brenda, edhe Monika bashkë. Edhe llogarite ta gëlltisësh, pa e hapur atë. E ke Ilir Metën, bashkë me Monikën, duke bërë protestë çdo ditë për punësime, tenderime, reflektime, rienergjizime dhe dekorata, ndërkohë që ti je demokrat.
Imagjino Korab Lita se nga çfarë ke shpëtuar ti.  Dhe është vërtetë e paimagjinueshme për mua si ti nuk e ke votuara dhe nuk do e votosh prap këtë me sa kuptoj kur në fakt ky ligj shpëton të gjithë demokratët nga të paktën fatkeqësia e pavetëdijshme.
Natyrisht që nuk i shpëton nga fatkeqësia e vetëdijshme se prapë shfaqja do jetë, “nuk jemi bashkë, por bashkë do jemi’. Kështu që ngado që të rrotullohesha çokollatën blu e ke me Ilir Metën, me Monikën brenda dhe sikur të mos mjaftonin këta të dy, ke edhe atë përparësen e Peço Vasilit që e mbështjell çokollatën.
Ne nuk kemi çfarë presim, absolutisht nuk kemi çfarë presim. Për sa i përket përpjekjes Ilir Metës, për ta bllokuar këtë proces, duke e çuar në Komisionin e Venecias, është një përpjekje që përsëri tregon, po të lexosh ato lumë pseudoargumentash se ku do të dali Ilir Meta.
Do të dali aty, ku faktikisht desh të dali dhe më parë. Të hedhë në erë zgjedhjet.
Dëgjova zonjën që foli këtu përpara, nuk e shoh tani por nuk ka rëndësi, që tha, “ju po e bëni këtë se e dini që do humbni dhe prandaj mos e bëni”.
Pra, këta të gjithë dalin dhe thonë “nuk duhet ta bëjnë këtë se me këtë ne fitojmë më shumë’. Jo, ne do e bëjmë këtë se me këtë fiton përfundimisht zgjedhësi. Zgjedhësi fiton pasi di ekzatësisht se për kë voton dhe e di shumë mirë që nesër, nëse voton Lulin e di shumë mirë që e ka edhe Monikën dhe Ilirin paketë, – se Saliun po e po nuk diskutohet, se Saliun, Luli e ka në bark – dhe jo ndryshe. Me ato fushata si në kohën e Ralfit që shkonin te socialistët dhe “bashkë do jemi ne po hë se e kanë mbyll atë punë”. Ma jep votën mua se ju do fitoni po bashkë do jemi. Pastaj te demokratët, ‘bashkë jemi ne, po lëre se ai i gjati ja t’ia fusim kësaj radhe, se ashtu është muhabeti’ dhe kështu merr këtej, merr andej e në fund fare kape qeverinë nga këmbët dhe qeveria ka përgjegjësinë, LSI-ja ka qetësinë.
Kurse dashuria është transaksion, edhe këtej edhe andej.
Po sikundër e kemi thënë dhe më parë, kjo lojë ka mbaruar. Tani mos më thuaj shkarkoje, hiqe sepse e bën si Rudina me naftën që thotë nuk marrin rrogat ata se vidhet nafta. Në fakt, nuk ka rafineri prandaj nuk marrin rrogat ata. Ti e di shumë mirë që nuk është në fund parlamenti që shkarkon presidentin. Është Gjykata Kushtetuese në fund fare, kështu që mos më trego këtë të lutem shumë, ndërkohë që nga ana tjetër, unë mendoj që me këtë ligj, të gjithë duhet të jenë të lehtësuar për faktin se askush përveç PS, që nuk mori atë që donte, askush tjetër nuk mbeti pa marrë diçka nga ajo që donte. PD i mori të gjitha ato që donte, por PD nuk donte që të tjerët të merrnin diçka nga ajo që donin, kjo nuk funksionon.
Edhe Myslymi, edhe Rudina, edhe të tjerët këtu morën diçka nga ajo që donin, por natyrisht nuk mund të merrnin gjithçka sepse pastaj i binte që të tjerët të merrnin asgjë.
Ne një gjë donim, as nuk e ngritëm fare këtu sepse ja u lamë të tjerëve, atyre jashtë dhe juve brenda, se kemi dy tani, ne u bëmë me dy, se një e ke me ligj e me zakon, ne na u bënë dy opozita. Një në shtëpi dhe një e ke te oborri. Kështu që çfarë të bënim ne më shumë.
Ne kemi bërë maksimumin. Brenda këtu është dhe 5 qershori dhe nuk e kuptoj Ilir Metën që flet për 5 qershorin si për 29 nëntorin, nuk e kuptoj. Për 29 nëntorin e kuptoj, e mirëkuptoj, por për 5 qershorin që e përmend dhe e përmend e ka harruar fare që është aty president e që të paktën duhet të bëjë sikur nuk e ka harruar. Jo, e ka harruar komplet. E ka harruar komplet, e ka kthyer presidentin në një si ato krijesat me lloj-lloj materialesh që vendosen nëpër ara për të trembur zogjtë. Si quhen, “kokëkashtë”, jo se nuk shkon as ‘dordolec” nuk e them dot, por ai është në fakt, ashtu quhet por nuk e them dot për Ilir Metën, por ashtu është dhe kërcënon, shantazhon, shfaqet një herë në krah të një busti, një herë në krah të një busti tjetër, del me ato medaljet, flet për dëshmorët, ngre një akuzë të madhe që ne po shkelim mbi gjakun e tyre, me Elisën në krye. Ndërkohë që në fakt e vetmja gjë që ne po kërkojmë të themi është që të mos i ngacmojë, t’i lerë të qetë, t’i nderojë, t’i respektojë e mbi të gjitha t’i shprehi nderimin dhe respektin duke u sjellë si president i republikës, jo si shefi i Monikës dhe i partisë së Monikës, por si president i republikës e kërkon tani të fusë një sherr të madh për llogari të asaj partie që është shëmbëlltyra e degradimit të të gjithë këtyre viteve pasi ka bredhur lule më lule. Tani e ka gjetur lulen edhe me emrin e duhur dhe kërkon të na fusi të gjithëve në një ferr. Nuk ka për të ndodhur sepse ne do t’i qëndrojmë të gjitha detyrimeve tona, jo vetëm në raport me Komisionin Europian se tani flet Ilir Meta në emër të Europës.
Keni parë ndonjë president ju përfshirë dhe Sali Berishën, që e dini sa për zemër e kam, që të presë ambasadorë, sa shkelin në Shqipëri, shkojnë të shkojnë kredencialet e t’ju rrokanisë kokën 5 qershori, 5 qershori. Keni parë ju që presidenti të propagandojë çdo ditë pse Shqipëria nuk duhet të ecë më tutje?
Me demek që po e pengon Edi Rama dhe po e pengojnë socialistët, por në fakt jo, fare, ideja është për të krijuar të njëjtin problem, siç kanë krijuar gjithmonë, për t’u ushqyer ata, të cilët mund të mos kenë dëshirë që ta çojnë procesin përpara për 1001 arsye që janë të tyret që nuk kanë lidhje me ne.
Më shkruanin dje, 8 eurodeputetë të partive popullore, jemi të tronditur. Për çfarë? Do t’ju përgjigjem me shkrim, por për çfarë janë të tronditur? Që ne do rivotojmë sot një ligj që e kemi votuar para dy javësh dhe për të cilin Komisioni Europian është shprehur Si mund të presim ne Venecian deri në dhjetor, ndërkohë që ligji ka kaluar 2 javë përpara, këtu nuk jemi duke kaluar një ligj të ri, këtu do kalojmë pikë dhe presje ligjin që kemi kaluar dy javë përpara pas një procesi që ka marrë vite. Për çfarë janë të tronditur? Nuk e kuptoj, nuk arrij ta kuptoj. Ose më saktë e kuptoj shumë mirë, janë të keqinformuar qëllimisht, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet ndërpartiake dhe pastaj thonë “zoti Kryeministër, ne shpresojmë që ti të vësh interesat e Shqipërisë të parat”. Pa diskutim dhe prandaj jemi këtu për ta rivotuar këtë sepse interesi i Shqipërisë është që sot kjo të rivotohet, pikë dhe presje, pa asnjë ndryshim.
Ky është interesi i Shqipërisë.
Shqipëria kalon këtë reformë, falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje.
Opinioni i Venecias kërkohet post factum. Ligji ka kaluar, Kushtetuta është ndryshuar që në qershor, tani kërkohet që të ndalen të gjitha e të presin. Po çfarë do presim? Opinioni  i Venecias është i mirëseardhur gjithmonë kur të vijë, do të shohim të gjithë sëbashku dhe të hapim diskutim me të gjithë prapë nga e para, nëse do ketë nevojë për të hapur një diskutim, patjetër, por zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më diskutime, këshilla politikë, këshilla të asnjë forme.
E me të drejtë e tha edhe zonja përpara, edhe Rudina mbrapa që je dëgjova që ju mezi po prisni që të fitoni, mezi po prisni që të vijë 25 prilli që të fitoni. Ju jeni të fituar të gjithë, d.m.th. unë nuk di ku do t’i gjejë kryetari i ardhshëm i parlamentit aq shumë karrige sa fitimtarë do jeni ju në 25 prill, se 100 mandate i merr Monika, sipas Monikës. Ja edhe 100 + 100 + 10 me aritmetikën e Lulit janë 240, i merr Luli, por nuk diskutohet ju të tjerët këtu, kështu që me siguri në 25 prill, ne Partia Socialiste nuk do kemi  vend dhe ju do jeni mbledhur të gjithë tek Pallati i Kongreseve për të hapur sesionin e ri.
Më vjen keq, por nuk di se si mund të trajtohet ndryshe kjo situatë, sa e qartë aq dhe e qesharakëzuar nga Ilir Meta. Kam vetëm një detyrim ndaj demokratëve, ndaj votuesve zgjedhësve demokratë. Ndaj atyre që kanë arsyet e tyre, nuk i hyj fare diskutimit që as mos ta konsiderojnë fare të votojnë për mua dhe për PS-në. Imagjinoni çfarë ju pret o demokratë, vetëm imagjinojeni për një moment. Do shkoni në zgjedhje si tek Vehbiu dhe te Sudja, jep 1 merr 2. Do jepni votën për Lulin dhe do keni mbrapsht edhe  2 të tjerë se aritmetika e Lulit është “1 dhe 1 bëjnë 3”. Pra është Luli, është Iliri është dhe Monika. Se Saliu është tek ajo kërraba e njëshit, që është Luli vetë. Luli është tek këmba e njëshit. Kjo është ajo që do t’ju ndodhi. Kjo është gjëja që ju duhet të keni në mendje. Çfarë po ju pret në 25 prill në gjithë këtë fitore të madhe është diçka që realisht unë kam detyrimin t’jua them demokratëve. Gjejeni mirë se si do ta zgjidhini këtë dilemë, nëse e keni. Nëse nuk e keni atëherë do e shikoni mbrapa siç e keni parë dhe më parë se çfarë vjen kur PD bëhet bashkë me LSI-në.
Faleminderit!

Comment

*