Rama për rastin “Xhafaj”: Sabotim i mirëfilltë i opozitës, ministri nuk largohet

Tiranë, 18 maj 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këmbëngul se materiali i përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm është i manipuluar, ndonëse Albert Veliu deklaroi se përgjimi është i vërtetë.

“Përgjigja ime është e qartë dhe e prerë: ajo çfarë i është servirur publikut si material autentik është thjesht dhe vetëm manipulim i shëmtuar, pastaj detajet, si-të dhe pse-të e këtij manipulimi janë çështje të Prokurorisë”, deklaroi ai, transmeton Top Channel.

Rama përsëriti akuzat ndaj Partisë Demokratike, e cila e publikoi përgjimin dhe konfirmimin e autenticitetit të tij nga Albert Veliu.

“Besoj që dita e djeshme duhet t’u ketë dhënë të gjithëve mundësinë të shihni përmes audio-video shpk-së të PD se në çfarë derexheje është katandisur PD-ja, se çfarë mungese të plotë respekti ka PD-ja për inteligjencën e shqiptarëve dhe se pse ka pritur pikërisht këtë kohë për të bërë këtë gjë për diçka që e ka pasur në dorë më parë. Në një kuptim unë e falenderoj PD-në që e bëri shumë të lehtë demaskimin e kësaj maskarade me atë shfaqje që dha dje në skenën e teatrit të SHQUP-it.

Kryeministri Rama nuk pranoi të tregonte se cila ishte “agjencia e specializuar” të cilës ai i ishte referuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partis Socialiste, ku ka folur për “sajimin” e përgjimit.

“Unë i jam drejtuar një agjencie të specializuar, adresën nuk mund t’ua jap, dhe ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua. Nuk ka vlerën e një prove, provën duhet ta identifikojë dhe certifikojë cilado që të jetë ajo, Prokuroria. Por, për sa më takon mua, jam shumë i qartë, bëhet fjalë për një maskaradë të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë, dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Rama deklaroi sërish se Fatmir Xhafaj do të qëndrojë në detyrën e ministrit, ndërsa situatën e krijuar rreth tij e quajti si një sabotim të mirëfilltë të opozitës.

“Unë përgjigjen e kam marrë dhe ministri do vazhdojë në krye të detyrës që e bën me përgjegjshmëri me rezultate përditë e domethënëse. Nuk kam menduar kurrë që do më duhej ndonjëherë të nxirrja nga shqipja ime e pasur fjalën sabotim për opozitën e këtij vendi, po ky është sabotim i mirëfilltë, jo vendimtar,  fatmirësisht”, u shpreh ai.

Rama e akuzoi PD-në se me akuzat ndaj ministrit Xhafa po hedh baltë në përpjekje që të pengojë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Po. Balta e bën punën e saj. Në mjegullën që ndodhet sot BE-ja, në raport me vetveten, e lëre më pastaj me Ballkanin ose me ne, balta bën punën e saj te njerëzit e zakonshëm. Nuk mendoj se do kthehemi prapa, po do vazhdojmë para, në kuptimin e procesit të integrimit”, tha Rama. (r.m.)

Comment

*