Rama pranon se nga Presidenti Makron nuk arriti të marrë një “po”

Tiranë, 16 maj 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk ka arritur të marrë një “PO” të prerë për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë.

Sot, në takim me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ka thënë se hezitimi i Presidentit francez nuk lidhet me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por me reformimin e Europës.

Rama ka thënë se tani është më optimist se do të marrë përgjigje pozitive nga Franca, por drejtoi akuza të rënda në adresë të opozitës në Shqipëri, e cila, sipas tij, “nuk po lë gur pa lëvizur dhe pabesi pa bërë që të sabotojë këtë përpjekje të krejt shoqërisë.

“Dje isha në Paris për të vijuar përpjekjen e vështirë, por jo të pamundur diplomatike të bindjes së çdo vendi anëtar të BE për ti dhënë vendit tonë në fund të qershorit atë që përmes reformave dhe rezultateve të arritura me shumë mund Shqipëria ka merituar çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Takova Presidentin Macron që pas kërkesës sime përmes një letre personale për një takim sy më sy, bujarisht gjeti kohë për të më rezervuar një pritje zyrtare në pallatin e Elysee.

Në takimin që zgjati jashtë parashikimit për shkak të një bisede shteruese mbi disa tema të rëndësishme mund tu them me plot gojën se dëgjova nga Presidenti fjalë tejet inkurajuese për Shqipërinë. Roli i Shqiqërisë  në rajon, linjëzimi konseguent i politikës sonë të jashmte me atë të BE, reforma në drejtësi, vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve, reformimi i policisë së shtetit.

Ai më tha se vendimarrja e Francës është në studim e sipër pasi, sipas tij,nuk është thjesht çështja e Shqipërisë apo Maqedonisë, të cilat, citoj ‘meritojnë vlerësimin më të lartë për çka kanë arritur në këtë fazë procesi,  por është tema e gjerë e reformimit të Europës dhe si pjesë e kësaj teme çështja e kontrollit të kufijve të zonës Shengen dhe flukseve migratore në terësi që diktojnë një refklektim të thelluar të Francës para marrjes së vendimit përfundimtar në qershor’.

Por, çka besoj unë dhe mund t’ju them pa hezitim është se jam më optimist pas takimit se para takimit me presidentin Macron. Ka akoma javë dhe punë për të bërë në realizimin e këtij objektivi madhor dhe gjë mangut nuk do ti lëmë kësaj përpjekje aspak të lehtë dhe të gjithanshme për një interes kaq madhor kombëtar ku për fatin shumë të keq të Shqipërisë duhet të përballemi jo vetëm me një sfidë të jashtëzakonshme diplomatike në kushet kur erërat kundër zgjerimit në disa vende të Europës janë në disfavorin tonë por duhet të ndeshemi përditë me murin qorr dhe shurdh të baltës që opozita e këtushme i ngre Shqipërisë në këtë rrugë duke mos lënë gur pa lëvizur dhe pabesi pa bërë që ta sabotojë këtë përpjekje të krejt shoqërisë sonë”, është shprehur Rama, citon Ora News. (r.m.)

Comment

*