Rama: Program agresiv për të nxitur punësimin

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me 300 të punësuar të rinj në sektorin privat

Shumë faleminderit për mundimin e të gjithë atyre që erdhën në këtë aktivitet nga destinacione të tjera të vendit të punës, për të dëshmuar faktin se, pavarësisht problematikës së papunësisë, pavarësisht pasqyrës së kësaj problematike që shpeshherë është e deformuar si pasojë e paragjykimeve, e mungesës së informimit, e mungesës së dëshirës për të punuar, duke mos e refuzuar punën në sektorin privat, që është një problem më vete në shoqëritë e mbarë rajonit, e vërteta është se në këtë fushëbetejë, ne kemi rezultate inkurajuese, por kemi dhe potencial ende të madh dhe të pashfrytëzuar.

Rritja e numrit të njerëzve që sot, në Shqipëri jetojnë me punë dhe që në krahasim me numrin e njerëzve që jetojnë me punë dhe ishin pjesë e borderosë se tatimeve të republikës, është një rritje e konsiderueshme dhe e pamohueshme, në rast se i referohemi fakteve dhe jo kur opinionet tona i shesim si fakte.

Reformat që ne kemi ndërmarrë kanë dhënë rezultate edhe në këtë aspekt. Posaçërisht reforma e arsimit, duke i dhënë një shtysë të re arsimit profesional, është një reformë që ka nisur të japë frytet e para, por thellimi i saj është i domosdoshëm dhe do na sjellë shumë më tepër rezultate në 4 vite që kemi përpara.

Po ashtu reforma e shërbimit publik të punësimit. Transformimi i Shërbimit Kombëtar të Punës në një shërbim aktiv ka nevojë të thellohet dhe nuk ka dyshim se do na sjellë rezultate të reja në 4 vitet që kemi përpara. Por fakti është fakt, nëpërmjet zyrave të punës falë Shërbimit Kombëtar të Punës dhe falë krijimit të një lidhje të re mes këtij shërbimi dhe sipërmarrjes, ne numërojmë sot, – janë lehtësisht të numërueshëm – mbi 80 mijë vajza, djem, gra e burra, që janë punësuar vetëm nëpërmjet kësaj lidhjeje dhe nëpërmjet këtij ndërveprimi. Ndërkohë që janë 1900 subjekte dhe 20 mijë punëkërkues të papunë, që kanë përfituar nga programet e nxitjes së punësimit në 4 vjet. Ashtu sikundër janë rreth 60 mijë të papunë që kanë përfituar të paktën një kurs formimi falas në një nga qendrat e formimit profesional.

Këto janë të dhënat që kemi sot ndër duar dhe që nuk mjaftojnë absolutisht për të qenë të kënaqur, por mjaftojnë për të kuptuar se jemi në rrugën e mbarë dhe se përtej gjithë mjegullës së pakënaqësisë, mjegullës së dezinformimit, mjegullës së cinizmit që e ndeshim çdo ditë e në çdo hap kur flasim për punën dhe punësimin, e vetmja rrugë është të vazhdojmë punën dhe të bëjmë punën tonë, në mënyrë që t’i japim sa më shumë hapësira zgjedhjeje dhe mundësish, njerëzve që duan të jetojnë me punë në këtë vend.

Jo më larg se dje më ka vizituar në zyrë një sipërmarrës, i cili ka bërë një investim të konsiderueshëm për përpunimin e metaleve dhe më tha shprehimisht, se ka planifikuar 800 vende pune dhe deri më sot ka mundur të punësojë vetëm 170 persona, me një rrogë 450 mijë lekë. Pyetjes time se për çfarë arsyeje, sipas tij, ai nuk po arrin të plotësojë dot numrin e vendeve të punës të parashikuara me njerëz, në mënyrë që të përballojë planin e biznesit përkundër investimit që ka bërë, i dha të njëjtën përgjigje që mund ta marrësh nga çdo sipërmarrës në Shqipëri, që ka të njëjtën eksperiencë.

Jam i bindur që, nëse do i pyesim vëllezërit që na kanë mikpritur e që i kanë dhënë jetë kësaj kompanie ekselence, këtu në Tiranë, do marrim të njëjtën përgjigje, nga njëra anë, mungesa e kualifikimit të krahut të punës dhe nga ana tjetër, mungesa e dëshirës për të punuar dhe për t’u lodhur në sektorin privat.

Ka shumë njerëz që këtë nuk duan ta besojnë. Ka shumë njerëz që kanë shumë dëshirë ta mohojnë këtë, por është fakt që, nëse nuk ekziston një shqiptar i vetëm që t’i bëjë naze punës më të rëndë jashtë kufijve të këtij vendi, këtu brenda gjen një në dy që duan punë, por nuk duan të punojnë, duan punë, por e duan në shtet, nuk e konsiderojnë punë në privat, duan punë, por e duan me orë të tëra të lira, për t’u marrë me punë tjetër të rëndësishme, që janë llafet dhe muhabetet pa bukë. Kjo është e vërteta.

Sikundër ka dhe një të vërtetë tjetër, që ne e shohim si sfidë, në radhe të parë për ne, puna e mirëpaguar, puna e mirëshpërblyer në çdo aspekt. Këtu, ne kemi ende një mal të tërë për të ngjitur, sepse, kur mendon që 800 kompanitë më të mëdha të vendit, deklarojnë se 42% e punonjësve të tyre janë nën 300 mijë lekë dhe shkruajnë në librat e llogarive “inxhinier 250 mijë lekë”,  “ekonomist 220 mijë lekë”, “llogaritar 270 mijë lekë”, kjo është një farsë e pabesueshme dhe e pagëlltitshme, që ne nuk do ta pranojmë më.

Për këtë arsye, unë do ta përsëris thirrjen publike për të gjitha këto kompani, të respektojnë punën e këtyre njerëzve, se nuk mundet dot t’i shmangen detyrimeve ndaj shtetit, duke iu cenuar këtyre njerëzve pensionin dhe të drejtën për të marrë shërbim shëndetësor përmes punës.

Janë të dy këta elemente dhe gënjeshtra që “një pjesë po ta jap me letra dhe pjesën tjetër po ta jap në të zezë dhe merri të gjitha se i ke vetë” duhet të marri fund. Në fakt nuk i ka vetë, por ka një cash sot në të zezë, që është rrënimi nesër, kur vjen puna te sigurimet e tij shoqërore dhe shëndetësore. Ashtu sikundër është bashkëfajësi në një krim, në krimin e shmangies së detyrimeve ndaj shtetit.

Nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që mirëpagimi i punës ka edhe një element tjetër, rritjen e pagave në sektorin privat, si refleks i rritjes së pagave që ne kemi bërë në sektorin publik. Kjo ka ndodhur dhe do vazhdojë të ndodhë, por nuk është kurrë mjaft. Ama fakti që sot, në këtë sallë ka afro 300 vajza, djem, gra, burra, që punojnë si rezultat i ndërveprimit me zyrën e punës, fakti që sot në Republikën e Shqipërisë ka 80 mijë njerëz të punësuar vetëm nëpërmjet  një ndërveprimi në 4 vjet tregon se realiteti i gjërave, i fakteve, i të vërtetave të thjeshta në këtë terren të vështirë të luftës kundër papunësisë është një realitet ku ka shumë më tepër optimizëm, sesa po të dëgjosh, po të lexosh e po të komentosh në kazanin e përditshëm të llafeve pa bukë, por me shumë e shumë gënjeshtra e me shumë e shumë ankesa të pabazuara.

Të gjitha këto nuk duan të thonë se ne jemi të kënaqur, por se ne kemi shumë më tepër mundësi dhe për këtë arsye kemi dhe një program shumë agresiv në mbështetje të punësimit, në mbështetje të sipërmarrjeve që kanë nevojë për më shumë të punësuar. E dua ta përsëris, janë 36 mijë vende të lira pune, sot që po flasim, në Republikën e Shqipërisë. Nuk janë vende të lira pune uniforme dhe vetëm për nivelin më të ulët të pagave. Janë vende të lira pune të larmishme, të të gjitha kategorive, për të cilat sipërmarrjet i janë drejtuar Shërbimit Kombëtar të Punës për ndihmë.

Sipërmarrjet kërkojnë ndihmë, për të mundur që të plotësojnë këto vende të lira pune, që nga niveli më i lartë i pagave më të larta, për njerëz me shkollim të lartë, – sigurisht, me një shkollim të lartë që nuk vërtetohet thjesht nga paraqitja e diplomës, por vërtetohet nga paraqitja e aftësive në provimet që bëjnë sipërmarrjet,  – deri në pagat më të ulëta për ata që nuk kanë as diplomë, as shkollë, por janë të gatshëm të punojnë.

Shembulli që dëgjuam këtu është një shembull, që mund ta dëgjosh në forma të ndryshme kudo. I ndodh një problem shëndetësor shefit të prodhimit dhe gjithë kjo kompani, e cila eksporton produktet e saj të ekselencës, siç e shikoni prodhon 5 minuta nga Tirana, varka dhe anije luksi, rri tre muaj pa punë e detyrohet të paguajë penalitetet e kontratave që nuk i përmbush dot, sepse nuk gjen dot zëvendësuesin me të njëjtat aftësi e me të njëjtat kapacitete për të vazhduar punën.

Ky është një boshllëk që nuk është përgjegjësi e asnjë individi në Republikën e Shqipërisë, nga pikëpamja e njerëzve që kërkojnë punë. Kjo është përgjegjësia e madhe e një shteti, që për çerekshekulli iu tha vajzave e djemve, ju jeni një popull më vete nga të gjithë popujt e botës dhe nuk duhet të mundoheni fare të shkoni në shkollë e larg qoftë (!) që ju të shkoni të merrni ndonjë zanat. Zanatet janë për “budallenjtë” zviceranë, gjermanë, francezë, amerikanë. Për ne të mençurit shqiptarë, është juridiku. E një popull i tërë u nis drejt juridikut, 25 vjet.

Meqë Shqipëria u planifikua si një “hub” për prodhimin e juristëve dhe për eksportin e mendimit juridik në të gjithë botën, u hapën edhe universitete me emra prestigjioze xhevahiresh dhe qelqesh të çmuara. Prodhuam numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në historinë e botës dhe krijuam ushtrinë e të dëshpëruarve në moshën 30 vjeç. Njerëz që kanë një diplomë juridiku pa asnjë vlerë dhe asnjë gjë tjetër. Ndërkohë që kthesa që ne kemi nisur, sigurisht do të kërkojë kohën e vetë për t’u materializuar në realitetin e tregut të punës, por është e vetmja rrugë, arsimi profesional, zanatet.

Nëse vende si Gjermania, Zvicra, apo një sërë vendesh të tjera të super zhvilluara e përballuan më mirë nga të gjitha vendet e tjera krizën dhe përkthimin e krizës në papunësi, kjo erdhi si rezultat se janë vende që bazohen ende sot, në forcën e zanateve, jo në disproporcionin fatal midis mungesës së zanateve dhe numrit të tejskajshëm të mendimtarëve të fillit juridik.

Unë dua ta përsëris me bindje se ne jemi në një rrugë të vështirë. Në një rrugë të vështirë sepse në radhë të parë përballemi me një mendësi të mbrapshtë, që bën që individi shqiptar të mos i bëjë naze asnjë pune, kur del nga kufijtë e Shqipërisë dhe të jetë i prirur t’i bëj naze çdo pune që është punë, kur është brenda kufijve të Shqipërisë. Ky është problemi themelor me të cilin, ne të gjithë si shoqëri përballemi sot, si rezultat i një mendësie të krijuar ndër vite dhe i kontributit shumë masiv që partitë politike e politika ka dhënë në këtë drejtim. Duke iu provuar njerëzve se më mirë të jesh parazit dhe të sigurosh një teserë partie e të marrësh një punë shteti, sesa të jesh një njeri që i beson punës, krahëve dhe mendjes tënde dhe të jetuarit me një punë që të lodh.

Është një trashëgimi e tërë shumë e rëndë, me të cilën ne të gjithë përballemi, jo vetëm qeveria, por të gjithë familjet në çdo nivel. Kjo është lufta që kemi për të bërë, për të emancipuar raportin me punën e për t’i dhënë gjithmonë e më shumë arsye sipërmarrësve dhe njerëzve që investojnë tek vetja e tek puna e tyre, për t’u ndjerë të respektuar, të mirëpaguar, të mirëshpërblyer e jo të konkurruar nga parazitë e grabitqarë, qofshin këta në zyrat e shtetit, qofshin këta në rrugët e konkurrencës së pandershme në biznes.

Suksese në punën tuaj, të gjithë atyre që janë këtu e që sot janë të punësuar falë ndërveprimit me zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punës. Përgëzime mikpritësve tanë në këtë fabrikë mbresëlënëse, që është një nga realitetet, në fakt të shumta, të një Shqipërie që është e kotë ta kërkosh në pasqyrën e kazanit, se nuk ekziston në atë pasqyrë, ku sa herë të shohësh, do gjesh krim, drogë e asgjë tjetër. Në fakt, Shqipëria reale është një Shqipëri shumë më komplekse, shumë më shpresëdhënëse e shumë më e lidhur me idetë e guximshme për të jetuar në këtë vend e për t’u pasuruara, apo për të ushqyer familjen përmes punës.

Faleminderit të tre vëllezërve që i kanë dhënë jetë kësaj kompanie, për shembullin e tyre të shkëlqyer, sesi në këtë vend mund të prodhohet e të eksportohet ekselencë, duke iu ofruar shtresave më të larta të konsumit në vendet më të zhvilluara, prodhime si këto që janë absolutisht krenari për të gjithë ata që i japin jetë përditë kësaj fabrike të shkëlqyer.

Shumë faleminderit të gjithëve!  ​

Comment

*