Rama replikon me Mustafën: Nuk është elegante të thotë se unë e rikrijoj Jugosllavinë

Ohër, 10 nëntor 2019 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka replikuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili e quajti projektin për krijimin e “mini-Schengenit ballkanik “ si projekt për krijimin e një “Jugosllavie të re”.

Rama e ka cilësuar si “jo fort elegante” deklaratën e Mustafës, duke lënë të nënkuptohet se ka qenë zoti Mustafa ai që ka punuar në administratën e ish-Jugosllavisë.

“Kam respekt për Isa Mustafën. Kemi punuar bashkë. Ruaj kujtime të mira me të dhe jam i befasuar nga deklarata e tij. Por, siç ka ai opionin e tij të ndryshëm nga unë, kam unë opinion të ndryshëm ndaj tij. Të flasësh për një proces që rikrijon Jugosllavinë, të ma thuash mua që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë dhe as kam lidhje me Jugosllavinë, veç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve, më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, ka thënë ai, citon Ora News.tv.

Rama i ka bërë këto komente në konferencën për media në Ohër, kur është pyetur nga gazetarët shqiptarë për deklaratën e Mustafës.

(r.m.)

Comment

*