Rama shpreh vullnet të ulet në tryezë me Metën dhe Bashën

Tiranë, 9 maj 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur nevojën për arritjen e konsensusit politik lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama ka shprehur vullnetin që për këtë qëllim të ulet në tryezë me Predsidentin e vendit, Ilir Meta, dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha.

“Jemi të vullnteshëm për t’u ulur në tryezë me Presidentin e Republikës, me kryetarin e Opozitës. Jemi këtu për të dhënë mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, ku të gjithë duan integrimin e Shqipërisë në BE”, ka thënë Rama.

“Tangoja apo vallja e shpateve nuk kërcehet vetëm. Dhe unë jam gati për gjithçka”, ka theksuar ai.

Rama ka bërë publik edhe emrin e udhëheqësit të grupit negociator të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ai ka treguar se në krye të këtij grupi do të jetë diplomati me përvojë të gjatë, Zef Mazi.

“Është edhe momenti për ta thanë edhe emrin e kryenegociatorit, edhepse ai nuk ka hezituar të kritikojë qeverinë tone. Ambasadori Zef Mazi, me një grup të përzgjedhurish, do të jetë regjia për betejën e negociatave për të çuar përpara me shpejtësi procesin”, ka thënë Rama.

Kryeministri i ka bërë këto deklarata në Shtëpinë e Europës në Tiranë, në një koferencë të përbashkët për gazetarë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës.

Rama ka shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për ndihmën e madhe për rindërtimin e shtëpive dhe banesave të shkatërruara nga tërmeti dhe për përballimin e pandemisë së koronavirusit. (r.m.)

Comment

*