Rama: Shqipëria e ka obligim ta mbështesë Kosovën, pa kushte

Prishtinë, 30 qershor 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, adresoi Kritika të ashpra ndaj Zyrës së Prokurosisë së Specializuar me seli në Hagë për propozimin e aktakuzës ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe shprehu mbështetje të plotë ndaj dy të akuzuarve.

Rama, në një konference për media në Aeroportin e Prishtinës, në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë, e cilësoi “nevojë kombëtare“ përballimin e situatës së krijuar nga ngritja e aktakuzës, të cilën ai e quajti “thellësisht të padrejtë“.

“Dua ta bëjë të qartë faktin se jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare, për t’i dhënë mbështetje të plotë Kosovës dhe gjithë përfaqësuesve politikë në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë”, tha Rama.

“Për dy dekada, në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, mbështetu e zhvilluar si proces i pandashëm nga procesi i shtetndërimit, pajtimit, e integrimit evropian, madje edhe procesit të dialogut”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi si “fletërrufe“ të sistemeve komuniste komunikatën e Zyrës së Porkurorisë së Specializuar për propozimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Për mua ishte një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat publike përgjatë revolucionit kinez, një shfaqje që e kemi përjetuar në Shqipërinë e diktaturës është e pashembull dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj që përmban një arsye pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm ose i qëllimshëm në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë”, tha Rama.

Ai tha se publikimi i komunikatës ndodhi në prag të takimit të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, të cilin ai e vlerësoi si takim me rëndësi të veçantë.

“Sigurisht që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është një vijim i përpjekjeve me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri, me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-së.

Rama e quajti privilegj pozicionin e tij në procesin nëpër të cilin po kalon Kosova.

“Më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë. Të të jepet mundësia të kontribuosh për atë çka ishte dhe është vlera historike e luftës çlirimtare të Kosovës“, u shpreh ai.

“Mendoj që ky është momenti kur sigurisht kemi një krizë disapalëshe, por kemi edhe një mundësi për ta vënë në pah jo thjesht vlerat e luftës dhe të vërtetën se Kosova ishte viktima, por për ta vënë në pah këtë shprehje për gatishmëri nga vetë Kosova dhe balancën e prishur mes Kosovës dhe Serbisë në raport më Serbinë për krime të luftës”, theksoi ai.

Rama shprehu keqardhje që në skenën politike dhe publike të Kosovës nuk ka një qëndrim unik lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

“Dua ta bëj shumë të qartë që më vjen sinqerisht keq kur shoh në reagime të ndryshme e këtu flas për reagime të nivelit qytetar se si helmi i jetës se përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të mos kuptohet, por të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb e që nuk lidhet as me dy persona, nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe as me të mirat apo me të metat e tyre në kohë paqeje, nuk lidhet as me simpatitë bindjet mbështetjet apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore por lidhet me një prej vlerave me të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera për liri të luftës së Kosovës pjesë e së cilës në mënyrë vendimtare është ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Rama.

Ai drejtoi akuza të rënda ndaj atyre që e vështrojnë këtë si moment të përshtatshëm për ndryshime në skenën politike të Kosovës

“Janë krejt naivë dhe të verbuar nga mllefi të gjithë ata që mendojnë se publikimi i aktakuzës është bërë për të pastruar skenën politike të Kosovës apo për ‘çkapjen’ e shtetit“, tha Rama.

“Kush mendon e propagandon, qoftë edhe me një koment të pamenduar e naiv në rrjete sociale, se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për  pastrimin e skenës politike apo për çkapjen e shtetit është ose naiv, krejt naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi”, theksoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se Kosova sot gjendet para një sprove të madhe dhe përballimi i saj është detyrë kombëtare.

“Sot, për mua, është një sprovë e madhe, jo vetëm e natyrës, por edhe e natyrës kombëtare, morale e njerëzore, se kush flet shqip sepse këtë ka gjuhën e nënës gjuhën e nënës, të mos e përdorë atë për të ndarë pjesëtarët e kësaj bashkësie në patriotë e tradhtarë apo në të ndershëm dhe hajdutë”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje forcave politike të Kosovës që të heqin dorë nga “përleshjet“ dhe t’i lënë ato për kohë të tjera.

“Historia jonë, e shqiptarëve, duhet të na këtë mësuar tashmë se ka gjithmonë një kohë për t’u përleshur me njëri-tjetrin për ode, për bindje, për politikë, por, sa herë koha e vë në pikëpyetje, duhet të ketë një moment për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, për historinë tonë dhe për gjenerata e tjera”, theksoi Rama.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka arritur t’i bashkojë liderët politikë të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë tha se në Kosovë nuk ka ardhur për t’u dhënë leksione të tjerëve, por vetëm për mbështetje.

“Unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjitha partitë politike apo udhëheqësit e tyre në një tryezë, sepse, e para, kjo nuk është detyra ime dhe, e dyta, ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik. Asnjëherë nuk kam menduar për këdo që duke e bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’ju tregojë të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se “Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte”.

“Cilido që është në rolin e kryetarit të Qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi, por Shqipëria as nuk e ka e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo të tutorit, të mentorit, që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjnë. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë, por për të dëgjuar nga të gjithë opinionin e tyre, këndvështrimin e tyre”, shtoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga dialogu me Serbinë, pavarësisht prej “brutalitetit“ me të cilën po përballet për shkak të propozimit të aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit.

(r.m.)

Comment

*