Rama shtron darkë për ambasadorët arabë, kërkon investime, por jo të mëdha

Në darkë ishin ambasadorët e Katarit, Arabisë Saudite, Libisë, Egjiptit, Kuvajtit, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Një i pranishëm e klasifikoi si “darkë kortezie”. Nuk ka të dhëna nëse zoti Rama e shtroi darkën pas ndonjë këshillimi që lidhet me anullimin e një pjese të projektit të Xhamisë së Madhe të Namazgjasë

Aristir Lumezi dhe Denion Ndrenika

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar investime dhe ndihmë vendeve arabe për Shqipërinë. Kryeministri ka kërkuar gjithashtu që vendet arabe të dërgojnë specialistë apo këshilltarë për t’i atashuar në ministri apo institucione.

Pjesëmarrja

Zoti Rama ka mirëpritur ndërkohë propozimet për të ftuar biznese të Shqipërisë në punimet për Kampionatin Botëror të vitit 2022 në Katar. Por, kryeministri ka thënë gjithashtu se Shqipëria nuk ka biznese për punime të niveleve të tilla. Ambasadori i Katarit ishte me homologë të tjerë nga vendet arabe i ftuar në një darkë të enjten në Tiranë. Darka ka qenë e protokolluar dhe është shtruar me ambasadorët e vendeve arabe në Tiranë, në vilën qeveritare Nr.31. Të pranishëm në këtë darkë që sipas një pjesëmarrësi u klasifikua si “kortezie” ishin veç ambasadorit të Katarit, edhe ata të Arabisë Saudite, Libisë, Egjiptit dhe Kuvajtit. Darka me këta ambasadorë të përzgjedhur u zhvillua pak ditë pas një pritje të gjerë që Rama zhvilloi me diplomatët e huaj në kryeministri e ku shprehur filozofinë e tij në politikën e jashtme.
Në darkë kanë qenë të ftuar edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zëvendëskryeministri Niko Peleshi si dhe teologut i njohur mysliman, Ermir Gjinishi. Besohet se njerëz të afërt të zotit Rama luajnë një rol me rëndësi në shtrimin e pikëpamjeve të ndryshme që kanë nevojë për vendime apo qoftë edhe këshillime, përfshi çështjet fetare.
Zoti Gjinishi i kontaktuar në telefon, e konfirmoi darkën që kryeministri Rama ka shtruar për ambasadorët e vendeve arabe. Pjesëmarrës në darkë kanë cituar me afërsi fjalët që zoti Rama ka thënë për teologun Gjinishi “miku im, Ermiri, do të jetë shumë shpejt një njeri me detyrë të rëndësishme në stafin tonë”.
Nuk ka të dhëna nëse zoti Rama e shtroi darkën me ambasadorë të vendeve arabe për shkak të ndonjë këshillimi të rrethit të tij të bashkëpunëtorëve, këshilltarëve apo të të njohurve dhe as për ndonjë element që lidhet me anullimin e një pjese të projektit të Xhamisë së Madhe të Namazgjasë.

Atashimi

Ashtu si dhe në rastin e Turqisë, Kryeministri Rama ka mirëpritur ardhjen e këshilltarëve dhe specialistëve nga vendet arabe nga fusha të ndryshme, që do të atashohen pranë çdo ministrie apo dikasteri e institucioni. “Ministri përkatës do të jetë në dispozicion të këshilltarëve për çdo gjë që do të kenë nevojë në bashkëpunimin tonë”-është cituar gjithashtu me afërsi që t’i ketë thënë zoti Rama ambasadorëve të vendeve arabe.
Kryeministri ka kërkuar pjesëmarrjen e kompanive nga vendet e tyre në punët publike që do të nisë qeveria e tij. Por, Kryeministri u ka kërkuar ambasadorëve që të afrojnë në Shqipëri kompani jo të mëdha për investime, me arsyetimin se Shqipëria nuk ka potenciale për vepra tej qindra e qindra milionë euroshe. Ndërsa ambasadori i Katarit ka hedhur idenë e pjesëmarrjes së kompanive shqiptare në ndërtimet e infrastrukturës për Botërorin 2022, që do të zhvillohet në këtë vend, Kryeministri Rama i ka cilësuar bizneset apo kompanitë shqiptare të ndërtimit, rrugëve apo tjetërçka, në nivele jo të larta për këto lloj punimesh.

Interesi

Ndonëse darka është zhvilluar vetëm pak ditë pas vendimit të qeverisë për anulimin e lejes së objektit polifunksional pranë Xhamisë së Namazgjasë, mësohet se gjatë darkës nuk është folur për këtë çështje. Duket se maxhoranca dhe Kryeministri kanë gjetur zgjidhje me Komunitetin Mysliman në lidhje me lejen për ndërtimin e xhamisë, gjë që u duk qartë edhe në reagimin zyrtar të këtij Komuniteti. Në qendër të bisedës mësohet se kanë qenë investimet dhe ndihmat që këto vende, që konsiderohen mjaft të pasura, mund t’i ofrojnë Shqipërisë, e cila është deklaruar nga qeveria e re se ka gjetur arkën e shtetit bosh.
Në takimin që Kryeministri Rama zhvilloi me ministrin e Jashtëm turk Ahmet Dautollë, u njoftua se këshilltarë turq do të angazhohen me qeverinë e tij në disa sektorë. “Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm, Dautollë biseduan edhe për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të të dy kabineteve qeverisëse, si dhe për këshilltarët turq në fushat e energjisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe rendit publik, të cilët do të asistojnë nga afër sektorët përkatës”, thuhej në njoftimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me takimin.

Comment

*