Rama synon edhe një mandat të kryeministrit: Shqiptarët nuk kanë alternativë më të mirë

Tiranë, 1 shtator 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli të marten objektivin e tij që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në prill-maj të vitit të ardhshëm të fitojë edhe mandatin e tretë të kryeministrit.

“Shqiptarët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë se PS dhe as një Kryeministër më të mirë se unë”, tha Rama gjatë fjalës së tij pas mbledhjes së grupit parlamentar, të marten, në Elbasan.

“Tërmeti dhe pandemia janë nga ato ngjarje që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë jo më të një qeverie. Jemi mbledhur që tu ftoj në një reflektim të thellë por të shpejtë të cilin sot dua ta nisim për ta kryer në javët e ardhshme bashkarisht secili individualisht dhe së bashku në grupe më të vogla, një reflektim si do ta vazhdojmë përpjekjen sot si skuadër dhe individë dhe si do ta kurorëzojmë këtë mandat me bindjen dhe besimin e nevojshëm për një mandat tjetër, të tretin radhazi për të parën herë në historinë e PS por edhe Shqipërisë pluraliste. Po e nis nga vetja, çfarë duhet të bëj më shumë dhe më mirë në këtë sezon për të merituar me bindje dhe besim respektin e atyre që më besuan të bindur, privilegjin e madh të drejtimit të shtëpisë sonë, Shqipërisë, tre vjet apo 7 vjet më parë. Shumica e shqiptarëve e kanë të qartë që nuk e kanë sot për sot një kryeministër më të mirë por a jam unë Kryeministri më i mirë që mund të jetë për ta?Po ju a jeni deputetët më të mirë që ata mund të kenë sot për sot? A është kjo që kemi bërë secili prej nesh dhe të gjithë së bashku më e mira që mund të bëjmë për ta? Shqiptatët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa mua dhe ju që na vunë në krye të vendit tre vjet më parë. Këtë e dinë, shumica e tyre nuk e diskuton“, u shpreh ai, transmeton Ora News.

E megjithatë Rama tha se nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe se shqiptarët meritojnë dhe duhet të kenë më shumë.

“Por, kjo sot nuk më mjafton fare dhe atyre jo e jo nuk ju mjafton. E pyes veten shpesh dhe po pyes këtu me zë të lartë, po PS mund të bëjë në krye të vendit më shumë sesa ne kemi bërë deri këtu? Pa asnjë dyshim po. Patjetër që përderisa unë jam këtu dhe kam ndërmend të kërkoj një mandat tjetër në fund të këtij që kam kam bindjen se do të bëj më shumë akoma. Sa të gatshëm jeni? Unë jam i gatshëm t’ua provoj shqiptarëve se kam edhe më të madhe dëshirën, ambicien dhe vullnetin për të bërë më shumë për ta. Uroj që edhe ju të jeni të gatshëm për të bërë të njëjtën gjë. Çfarë mendon sot familja socialiste për mua dhe për ju? Dua të dëgjoj zërin e  çdo anëtari dhe anëtarje të të marrë përgjigjen. Me time kam bërë gjithçka kam mundur dhe nuk kam lënë asgjë pa bërë nga ato që kam mundur por sot nuk mjafton.Dua të di mendimin e të gjithë familjes sonë sa më parë ndërkohë që partia do të hyjë në betejën më të madhe të një mandati“, u shpreh ai.

Rama e mbajti fjalën ndërsa në sfond pas kishte bustin e Skëndërbeut që ndodhet në hapësirën e fabrikës së peshkut në Elbasan.

(r.m.)

Comment

*