Rama: Vettingu në politikë, lojë e Lulit, do e çojmë në Venecia

Tiranë, 13 shtator 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur “lojë” të Lulzim Bashës propozimin e PD-së për vetting në politikë.

Ai ka thënë se ky propozim ka për qëllim të krijojë turbëllirë.

“Kjo është një lojë e Lulit, si artist, për të krijuar një turbullirë, ndërkohë që vettingun që po pastron pallatin e drejtësisë nuk e duan. Historitë e tyre nuk ndodhnin as në kohën e Enver Hoxhës: pse i fole atij në rrugë”, u shpreh ai, në një intervistë në Top Channel.

Ai tha se këtë çështje do ta çojë në Komisionin e Venecias.

“Çështja është me kë shoqërohesh. Është çështje personale. Pastaj, nëse ti influencon te një person i lidhur me krimin atëherë ti duhet të shkosh në burg dhe kjo është çështje e drejtësisë. Ne do t’ia çojmë Komisionit të Venecias. Luli hedh një gur në lumë dhe ne të mbytemi. Jo, ne do e marrim gurin dhe do e çojmë në Komisionin e Venecias. Nëse Venecia do të thotë se kjo është në përputhje me kushtetutën, me të drejtat e njeriut, ne do ta votojmë”, tha ai.

Rama tha se institucionet që do të hetojnë politikanët janë vetëm SPAK dhe BKH.

“Vetting për politikanët është nëse je apo jo i pastër. Të tjerat janë çështje e organeve të drejtësisë. Nëse duam transparencë për politikanët, duhet të gjejmë një mekanizëm. Një pakicë që thotë: ‘o bëje siç dua unë, ose nuk bëhet’ do të thotë që nuk e duan. SPAK dhe BKH janë institucionet që do të hetojnë politikanët. Të tjerat shërbejnë për këta si thashetheme, që të thonë: ‘Rama është i lidhur me krimin”, u shpreh Kryeministri shqiptar.(r.m.)

Comment

*