Rama: Zgjedhjet për kryetar të partisë do ishin një farsë

Tiranë, 15 tetor 2020 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve për kryetar të Partisë Socialiste, të cilën e udhëheq ai.

Në një paraqitje publike, ku e prezantoi platformën “Deputeti që duam”, Rama ka ftuar të rinjtë që të bëhen pjesë e Partisë Socialiste, por ka theksuar se zgjedhjet për kryetar do të ishin farsë.

“Partia Socialiste fton njerëzit që të vijnë të bëhen pjesë e skuadrës e jo të bëhen kryetarë të Partisw Socialiste. Nuk bëhen zgjedhje për kryetarin, nëse konfirmimi i lidershipit në popull është i mjaftueshëm. Për çfarë duhen bërë farsat me kandidatura të sajuara, se me demek kemi zgjedhje për kryetarin, pasi Partia Socialiste i fiton zgjedhjet në popull. Është farsë, nuk ka asnjë vlerë. Ne menduam të heqim dorë nga farsa dhe hoqëm dorë“, ka thënë ai, citojnë mediet në Tiranë.

“Me gjithë respektin, keni parë që kemi bërë edhe gara të tilla, por nuk kanë qenë gara, kanë qenë ‘bëj adetin se kështu është shkruar në statut’. Për cfarë duhet ta bëjmë? “, është shprehur Rama.

“Kur zgjedh populli, nuk ka pse të bëhen zgjedhje për kryetar. Partia Socialiste është si një skuadër e, si në çdo ekip, disa qëndrojnë në stol dhe disa luajnë“, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*