Ramadani reagon pas paralajmërimit të NATO-s për transformimin e FSK-së

Prishtinë, 5 dhjetor 2018 – Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar  pas para;ajmërimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kosova do të përballet me pasoja serioze, nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në ushtri.

Ramadani, në një postim në Facebook, ka thënë se transformimi i FSK-së bëhet në përputhje me direktivat e NATO-s.

“Nuk ka vend fare për konfuzion. Transicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s. Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus, për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne, fatkeqësisht, nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ua shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës” ka shkruar Ramadani.

Zëvendësministri Ramadani ka thënë se Kosova mirëpret angazhimin e NATO-së për transicionin 10 vjeçar të FSK-së.

“Ne e mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar. KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi. Transicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale”, ka shkruar Ramadani.

“Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpër botë”, ka theksuar ai. (r.m.)

Comment

*