Ramiz Tafilaj nderohet nga Presidenti amerikan Donald Trump

Uashington, 6 janar 2019 – Shtëpia e Bardhë e nderoi Ramiz Tafilajn për punën e tij të palodhshme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për përkushtimin e tij për ta bërë botën vend më të mirë, raporton RTV21.

Tafilaj, i cili ka mërguar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara më 1973, është veprimtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe në Ballkan.

Ai ka sponsoruar mbi 100 studentë shqiptarë dhe nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve kanë banuar në shtëpinë e tij.

Në fundvitet 1980, ai ka lobuar fuqishëm për çështjen e Kosovës te autooritetet amerikane.

Tafilaj ka qenë kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Odës Ekonomike Northwest Houston, një organizatë e fuqishme që zhvillonte lidhje biznesi me Kosovën.

Ai ka shërbyer dhe në borde drejtuese të shumë industrive, si edhe në sektorin e shëndetësisë, sektorin bankar dhe sektorin e arsimit.

Në letrën e tij, Presidenti amerikan Donald Trump e ka falënderuar zotin Tafilaj për përkushtimin e tij për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”, ka shkruar Presidenti Trump.

Z.Tafilaj u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan në lidhje me politikën amerikane në rajon.

“Në emër të një Kombi mirënjohës, ju falënderoj për shërbimit tuaj jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerkanë dhe atyre që më së shumti kishin nevojë… Keni siguruar vazhdimësinë e përkushtimit të pashoq të Amerikës për të përmirësuar jetët e të tjerëve”, ka shkruar Trump.

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) është çmimi më i lartë për vullentarët në Shtetet e Bashkuara.

“Jam më së shumti krenar për tre fëmijët e mi që punojnë si ndërmarrës, nënkryetar banke dhe drejtore e një shoqate jofitimprurëse si edhe për nëntë nipërit e mbesat e mi më të mrekullueshëm”, ka deklaruar Tafilaj për RTV21.

Ramiz Tafilaj lindi dhe u rrit në Deçan të Kosovës. Tani është në krye të kompanisë “Progressive Chemical Technologies” në Houston dhe pronar i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing”, e cila ka botuar librin e Jusuf Buxhovit “Kosova”, shqip dhe anglisht. (r.m.)

Comment

*