Raportojnë 24 drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, zhvilloi sot takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura. Në takim merrnin pjesë 24 drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj si edhe ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin, znj. Elisa Spiropali. Takimi u zhvillua online, nëpërmjet platformës Cisco Webex.

Në fillim të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i falenderoi drejtuesit e institucioneve për mirëkuptimin që treguan duke iu përgjigjur thirrjes së Kryetarit të Kuvendit për ofrimin e gjysmës së pagës për tre muaj në ndihmë të përballimit të situatës së emergjencës shëndetësore.  Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit të kaluar 23 institucione depozituan raportet e institucionale;  21 titullarë  raportuan në komisionet e përhershme; 20 titullarë raportuan në seancë plenare dhe Kuvendi miratoi 21 rezoluta, me rekomandime e detyra konkrete për veprimtarinë e institucioneve. Rezolutat e Kuvendit janë zbatuar në masën 93%. Nga 223 rekomandime, janë realizuar plotësisht 109,  janë në proces zbatimi 94, janë realizuar pjesërisht 9, ndërsa 20 rekomandime janë ende të parealizuara.

“Unë kam ndjekur personalisht, por edhe nëpërmjet shërbimeve të Kuvendit, punën tuaj për të vazhduar ushtrimin e detyrave institucionale, me reduktime të burimeve njerëzore në zbatim të vendimeve të Qeverisë, por edhe në respektim të rregullave të mbrojtjes nga koronavirusi. Edhe pse jemi në situatë emergjence, duhet të garantojmë që të sundojë shteti i së drejtës dhe shërbimet e të drejtat e qytetarëve të jenë të garantuara. Funksionin kontrollues dhe monitorues po e vlerësojmë si një përparësi të Kuvendit, që lidhet me rolin e institucioneve të pavarura si kolona të fuqishme të sistemit demokratik dhe shtetit të së drejtës dhe me kontributin e tyre si roje të interesit publik, të drejtave e lirive themelore të qytetarëve.”

Kryetari i Kuvendit u ndal në mënyrë të veçantë në punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe garantoi mbështetjen maksimale të Kuvendit për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. “E kam thënë dhe po e përsëris: qëllimi i reformës në drejtësi nuk është të krijojmë një mozaik të ri institucionesh me emra tërheqës, por të vendosin në binarët e Kushtetutës, ligjit dhe në shërbim të të drejtave të qytetarëve sistemin e drejtësisë, si një nga degët më problematike të qeverisjes. Edhe pse në kohë jonormale, drejtësia duhet të jepet si në kohë normale.”, nënvizoi z. Ruçi.

Ne lidhje me aktet normative me fuqinë e ligjit që janë miratuar nga Kuvendi, për shkak të pandemisë, z. Ruçi vuri në dukje se ato kanë kufizuar përkohësisht disa të drejta qytetarëve. “Por institucionet e pavarura, sidomos Avokati i Popullit dhe disa nga institucionet e Komisionerëve, duhet të monitorojnë  që me këto kufizime të mos abuzohet dhe ato të mos shkojnë përtej dispozitave që kanë përcaktuar aktet normative.”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Në fund të vitit 2019 Kuvendi  jetësoi Platformën Ndërinstitucionale online, e cila tanimë është funksionale. Në të  gjenerohet i plotë informacioni mbi nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura adresuar Qeverisë. Kjo platformë ka krijuar një mundësi më shumë për kontrollin parlamentar dhe përgjegjësinë e institucioneve publike për të zbatuar detyrimet para qytetarëve dhe Kushtetutës, nën monitorimin e vazhdueshëm të Kuvendit.  “Me gjithë angazhimin konsistent të Shërbimit të Monitorimit, hedhja e të dhënave në platformë është ende në nivele të ulëta. Të gjithë ju duhet të kuptoni se llogaridhënia është detyrim, jo nismë juaja dhe duhet të përgjigjeni kur Kuvendi ju kërkon informacione, jo kur e gjykoni ju. Prandaj kërkoj një seriozitet dhe sinergji  më të mirë nga të gjitha palët e kësaj platforme, të cilën Kuvendi e realizoi, por ju duhet ta  bëni funksionale e produktive. ”, tërhoqi vëmendjen Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Drejtuesit e institucioneve raportuan mbi veprimtarinë institucionale dhe  ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve  drejtuar Qeverisë dhe agjencive shtetërore. Ata falenderuan Kryetarin e Kuvendit për vëmendjen maksimale ndaj veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre. Njëkohësisht, drejtuesit e institucioneve bënë edhe mjaft sugjerime konkrete për përmirësime ligjore në fushat përkatëse të kompetencës për mbështetjen më të madhe dhe forcimin e bashkëpunimit midis Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive, agjencive shtetërore dhe institucioneve të pavarura.

Në mbyllje të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, tërhoqi vëmendjen dhe parashtroi disa detyra konkrete për rritjen e dinamizmit të punës së institucioneve. “Disa institucione kanë patur vonesa në depozitimin e raporteve vjetore në Kuvend. Vonesat në raportim afektojnë kohën e zbatueshmërisë së Rezulotave të Kuvendit sepse ngelet pak kohë për zbatimin e tyre. Prandaj raportet vjetore duhet të depozitohen brenda tremujorit të parë të vitit. Ndërkohë, komisionet e përhershme të Kuvendit duhet të vazhdojnë procesin e nisur dëgjesave në komision për shqyrtimin e raporteve dhe hartimin e projekt-Rezolutave.

Shqetësimi im kryesor janë vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi dhe plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.  Unë e kuptoj që organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë janë të pavarura në veprimtarinë e tyre. Por njëkohësisht janë të varura nga Kushtetuta dhe ligji. Çfarë e pengon këtë proces? Ka pengesa ligjore që vonojnë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve? Ka burokraci në zbatimin e dispozitave ligjore? Apo ka keqpërdorim të këtyre dispozitave? Këto pyetje kërkojnë përgjigje dhe veprim.

Kuvendi së shpejti do të shqyrtojë çështjen e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë e Gjykatën Kushtetuese, do të vendosë lupën dhe do ta analizojë në mënyrë të detajuar këtë proces. Gjithashtu, nga institucionet e  drejtësisë kërkoj përpjekje maksimale që drejtësia për qytetarët të funksionojë e të jepet si në kohë normale. Nuk pranojmë asnjë justifikim në abuzimet në dhënien e së drejtës. Avokati i Popullit dhe institucionet e komisionerëve të vazhdojnë monitorimin e zbatimit të standarteve të ligjshmërisë në të drejtat dhe liritë e qytetarëve, sidomos ndalimin ekzagjerimeve dhe abuzimeve me të drejtat e kufizuara. KLSh, por edhe të gjitha institucionet, të kontrollojnë ligjshmërinë e veprimtarisë së institucioneve dhe agjencive shtetërore. Synimi i Kuvendit dhe i Qeverisë është që gjendja e luftës kundër pandemisë të përballohet me procedura paqeje, që do të thotë të mos lejojmë asnjë shkelje apo shpërdorim, i cili maskohet apo justifikohet pas emergjencave. Banka e Shqipërisë të studjojë modelet e bankave të huaja në mbështetjen e ringjallërimit të ekonomisë dhe t’i aplikojë këto modele në mbështetjen e biznesit, por edhe të konsumatorëve, gjatë daljes nga gjendja  e pandemisë.

Kini parasysh që ne po  dalim aktualisht nga dy gjendje të jashtëzakonshme, atë të pas tërmetit të 26 nëntorit dhe të pandemsië së koronavirusit. Ju e kini për detyrë të monitoroni edhe harmonizimin e zbatimit të programit të rindërtimit pas tërmetit dhe rigjallërimit të ekonomisë pas pandemisë. Më shumë se sa në kohë normale, ju duhet të jeni sot si roje dhe garantë të interesit publik dhe të të drejtave të qytetarëve. Së fundi, dëshiroj tju rikujtoj atë që theksova edhe në seancën plenare të 30 prillit, se në kushtet specifike që jetojmë dhe për intensitetin e problematikave, u kërkoj institucioneve që, deri në mbyllje të situatës së fatkeqësisë natyrore të pandemisë  të informojnë Kuvendin periodikisht, mbi bazë javore, për problematikat e konstatuara dhe kapërcimin e tyre.”, theksoi në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të pavarura

Mirë se  erdhët  në këtë takim periodik të punës së Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura.

Në fakt, siç edhe keni qenë informuar, ky takim ishte programuar muaj më parë, por për arsye të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së koronavirusit, e riprogramuam. Aktualisht veprimtaritë parlamentare realizohen nëpërmjet formave të komunikimit elektronik, për të cilat kemi plotësuar edhe Rregulloren e Kuvendit. Në këtë format po organizojmë edhe këtë takim. Në fillim dëshiroj tju falenderoj për mirëkuptimin që treguat të gjithë ju, drejtuesit e institucioneve, për ofrimin e gjysmës së pagës për tre muaj në ndihmë të përballimit të situatës së emergjencës shëndetësore. Pavarësisht veprimtarisë intensive ligjbërëse, Kuvendi nuk e ka shkëputuar asnjëherë vëmendjen nga problemet, nevojat dhe mbështetja ndaj institucioneve të pavarura. Edhe pse jemi në situatë emergjence, duhet të garantojmë që të sundojë shteti i së drejtës dhe shërbimet e të drejtat e qytetarëve të jenë të garantuara.

Siç edhe keni konstatuar, takimet me drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj janë bërë tashmë një praktikë e zakonshme pune e Kuvendit të Shqipërisë. Unë kam ndjekur personalisht, por edhe nëpërmjet shërbimeve të Kuvendit, punën tuaj për të vazhduar ushtrimin e detyrave institucionale, me reduktime të burimeve njerëzore në zbatim të vendimeve të Qeverisë, por edhe në respektim të rregullave të mbrojtjes nga koronavirusi. Kjo për faktin se funksionin kontrollues dhe monitorues po e vlerësojmë si një përparësi të Kuvendit. Kjo përparësi dhe ky objektiv nuk janë qëllime në vetvete, por lidhen me rolin e institucioneve të pavarura si kolona të fuqishme të sistemit demokratik dhe shtetit të së drejtës. Por lidhen gjithashtu me kontributin e tyre si roje të interesit publik, të drejtave e lirive themelore të qytetarëve të Republikës si edhe përcjellëse të opinionit të tyre për të tri degët e qeverisjes: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Me funksionin monitorues e kontrollues, Kuvendi nuk bën gjë tjetër, veçse si zëdhënës dhe ushqyes i sentimentin publik, bëhet interpret i detyrimit të të gjitha pushteteve, përfshirë atë parlamentar, për të qeverisur në  konsensus e harmoni me interesin publik dhe të qytetarëve. Sot në Kuvendin e Shqipërisë raportojnë periodikisht mbi veprimtarinë e tyre 24 institucione të pavarura. Dëshiroj tu uroj mirëseardhjen në këtë proces  drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë: Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Të gjithëve ju garantoj se do të kini mbështetjen maksimale nga Kuvendi. Sipas përcaktimeve në ligjet organikë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dy institucione të reja, kanë raportuar në Kuvend për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 dhe Kuvendi vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e tyre. Të dy institucionet janë në vonesë për të dorëzuar raportin e parë vjetor.

Në vazhdim, KLGJ e KLP duhet të informojnë Kuvendin mbi respektimin e të drejtave për gjykim të të drejtë dhe shkallën e zbatimit të  procedurave te reja dhe të shpejta të gjykimit të çështjeve, me qëllim që të mos krijohen mbingarkesa në dosje dhe të ketë vonesa të pajustifikuara në gjykimet e çështjeve që  nuk presin ose që mund të bëhen edhe në kushtet e pandemisë. Edhe pse në kohë jonormale, drejtësia duhet të jepet si në kohë normale.

Aktet normative me fuqinë e ligjit që kemi miratuar për shkak të pandemisë kanë kufizuar përkohësisht disa të drejta qytetarëve. Kuvendi ka detyrimin të vlerësojë ndikimin e këtyre kufizimeve te qytetarët, por edhe të marrë masa për të kufizuar këtë ndikim. Ndërkohë, një pjesë e institucioneve, sidomos Avokati i Popullit dhe disa nga institucionet e Komisionerëve, duhet të monitorojnë  që me këto kufizime të mos abuzohet dhe ato të mos shkojnë përtej dispozitave që kanë përcaktuar aktet normative. Mbështetja e Kuvendit nuk do të kursehet sidomos për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të cilin e presin dy sfida të vështira: formatimi dhe vendosja në efiçencë e institucionit brenda gjashtë muajve nga krijimi, por ajo që është më kryesorja, fillimi i mbarë i veprimtarisë si një organ kyç i ri i qeverisjes  së sistemit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar në Kuvend projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe numrit të punonjësve”, i cili u përfshi në Programin e Punës dhe Kalendarin e Punimeve.

Dëshiroj të nënvizoj rolin e ri që ka në sistemin e ri të drejtësisë  Prokurori  i Përgjithshëm, nëpërmjet udhëzimeve për piramiden e organit të akuzës, për të bërë të mundur zbatimin uniformë të dispozitave e procedurave penale. Performanca e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme mund të shërbejnë si indikator për vlerësimin e ndikimit publik të reformës, rritjen e besimit të publikut te sistemi dhe efektin e ndryshimeve, kryesisht ashpërsimeve, të dispozitave penale. Këtu kam parasysh edhe ashpërsimin e dispozitave penale për rastet e epidemive dhe pandemive. Prokurori dhe Prokororia e Përgjithshme duhet të përpunojnë me kujdes e përgjegjësi  statistikat e referuara në Raportin Vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, në funksion të përmirësimeve strategjike, ligjore dhe proceduriale penale në të ardhmen.  E kam thënë dhe po e përsëris: qëllimi i reformës në drejtësi nuk është të krijojmë një mozaik të ri institucionesh me emra tërheqës, por të vendosin në binarët e Kushtetutës, ligjit dhe në shërbim të të drejtave të qytetarëve sistemin e drejtësisë, si një nga degët më problematike të qeverisjes. Kontrolli parlamentar është ndër funksionet kryesore të Kuvendit dhe një mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj publikut të Qeverisë dhe institucioneve të pavarura.

Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit të kaluar,

  • 23 institucione të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj depozituan raportet e institucionale,
  • 21 titullarë institucionesh raportuan në komisionet e përhershme parlamentare,
  • 20 titullarë institucionesh raportuan në seancë plenare,
  • Në seancë plenare u miratuan 21 rezoluta, me rekomandime e detyra konkrete për veprimtarinë e institucioneve.

Kuvendi insistoi dhe ia arritëm që periudha e raportimeve (Mars-Maj) dhe procedura parlamentare e parashikuar, të respektohet në mënyrë korrekte, brenda afateve ligjore, sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit dhe kërkesave të Vendimit 134/2018 “Për Manualin e Raportimit Vjetor dhe Periodik”. Pas një analize të informacioneve të depozituara në Kuvend mbi nivelin e zbatimit të rezolutave për vitin 2019, rezulton se rezolutat e Kuvendit janë zbatuar në masën 93%. Nga 223 rekomandime, janë realizuar plotësisht 109,  janë në proces zbatimi 94, janë realizuar pjesërisht 9, ndërsa 20 rekomandime janë ende të parealizuara. Në zbatim të ligjeve organike dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2019 Kuvendi u angazhua për emërimin e 20 titullarëve apo anëtarëve të institucioneve të pavarura, duke siguruar funksionimin e tyre me kapacitet të plotë. Sot kemi ende pozicione vakante, për shkak të vonesave nga institucionet propozuese.

Sot  kemi në dispozicion dhe do tju dërgohet botimi “Monitorimi nga Kuvendi i Shqipërisë i institucioneve të pavarura gjatë vitit 2018”, hartuar nga Shërbimi i Monitorimit, dedikuar institucioneve të pavarura dhe raportimit të tyre në Kuvend për vitin që shkoi. Ju bëj me dije se ky botim do të kthehet në një traditë të përvitshme, si pjesë e rëndësishme e botimeve dhe kujtesës institucionale në Kuvend. Në fund të vitit 2019 Kuvendi  Shqipërisë jetësoi Platformën Ndërinstitucionale Onllain, e cila tanimë është funksionale dhe mund të aksesohet edhe në faqenvebtë Kuvendit.

Në këtë platformë gjenerohet i plotë informacioni mbi nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura adresuar Qeverisë, duke evidentuar qartë kush dhe çfarë nuk ka realizuar. Kjo platformë ka krijuar një mundësi më shumë për kontrollin parlamentar dhe përgjegjësinë e institucioneve publike për të zbatuar detyrimet para qytetarëve dhe Kushtetutës, nën monitorimin e vazhdueshëm të Kuvendit. Me gjithë angazhimin konsistent të Shërbimit të Monitorimit, hedhja e të dhënave në platformë është ende në nivele të ulëta. Por të gjithë ju duhet të kuptoni se llogaridhënia është detyrim, jo nismë juaja dhe duhet të përgjigjeni kur Kuvendi ju kërkon informacione, jo kur e gjykoni ju. Vendimet Kuvendit nuk duhet t’i mbani në sirtar, por t’i zbatoni pikë për pikë. Vetëm kështu mund të arrijmë të flasim me të njëjtën gjuhë mbi plotësimin e detyrave respektive nga të tri palët: Kuvendi, Qeveria dhe institucionet. Ju ankoheni se nuk keni stafe, por duhet të dini që organikat i keni të plotësuara. Vendosini njerëzit në punë dhe punoni me kapacitete të plota.

Gjithashtu konstatojmë neglizhencë të përsëritur nga pothuajse të gjitha institucionet e pavarura që adresojnë rekomandime ndaj Qeverisë. Përcjellja prej tyre e të dhënave në Kuvend paraqitet problematike dhe jokoherente. E kam thënë dhe po e përsëris: Kuvendi nuk kërkon të dhëna për qëllime statistikore apo studimore, por informacione mbi plotësimin e detyrimeve ndaj qytetarëve nga Qeveria dhe agjencitë e saj. Informacionet prej institucioneve që ju drejtoni janë njera prej pasqyrave nëpërmjet të cilave Kuvendi vlerëson impaktin e politikave e programeve të Qeverisë në interesin publik dhe të qytetarëve.Raportimi i këtyre vlerësimeve nga ana juaj nuk është një privilegj, por një detyrim kushtetues e ligjor. Prandaj kërkoj një seriozitet dhe sinergji  më të mirë nga të gjitha palët e kësaj platforme, të cilën Kuvendi e realizoi, por ju duhet ta  bëni funksionale e produktive. Trekëndëshi Kuvend-Institucione të Pavarura-Qeveri  duhet të vihet në efektivitet të plotë, si një mekanizëm për të rritur nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve tuaja, edhe si pjesë e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Europian. Kuvendi ka treguar angazhim maksimal, jo vetëm si institucion, por unë jam angazhuar personalisht në fuqizimin e zërit të institucioneve të pavarura ndaj Qeverisë. Por kërkojmë që Qeveria të angazhohet më shumë se deri tani për të raportuar periodikisht në Kuvend mbi zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ministritë dhe agjencitë  e saj.  Të gjitha institucionet kanë patur vonesa në depozitimin e raporteve vjetore në Kuvend. Megjithëse iu është kërkuar në mënyrë të përsëritur  ta përshpejtojnë këtë raportim. Këtu bën përjashtim ILDKPI, i cili  e ka depozituar raportin kohë para afatit. Detyrimi për raportim ka një dysheme dhe tavan kohor, nis me fillimin e vitit pasardhës dhe përfundon në afatin maksimal që parashikon ligji organik. Vonesat tuaja në raportim afektojnë kohën e zbatueshmërisë së Rezulotave të Kuvendit sepse ngelet pak kohë për zbatimin e tyre.

Është hera e fundit që ju kërkoj respektimin e afateve ligjore të raportimit. Raportet vjetore duhet të depozitohen brenda tremujorit të parë, por kjo nuk do të thotë që duhet të vijnë në datën 31 mars, por mjaft më shpejt. Ndërkohë, komisionet e përhershme të Kuvendit duhet të vazhdojnë procesin e nisur dëgjesave në komision për shqyrtimin e raporteve dhe hartimin e projekt-Rezolutave. Shqetësimi im kryesor janë vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi dhe plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Unë e kuptoj që organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë janë të pavarura në veprimtarinë e tyre. Por njëkohësisht janë të varura nga Kushtetuta dhe ligji. Kuvendi dhe unë personalisht jemi të shqetësuar nga këto vonesa.

Çfarë e pengon këtë proces? Ka pengesa ligjore që vonojnë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve?Ka burokraci në zbatimin e dispozitave ligjore?Apo ka keqpërdorim të këtyre dispozitave? Këto pyetje kërkojnë përgjigje dhe veprime.Kuvendi së shpejti do të shqyrtojë më vete çështjen e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë e Gjykatën Kushtetuese, do të vendosë lupën dhe do ta analizojë në mënyrë të detajuar këtë proces.Gjithashtu, nga institucionet e sistemit të drejtësisë kërkoj përpjekje maksimale që drejtësia për qytetarët të funksionojë e të jepet si në kohë normale. Nuk pranojmë asnjë justifikim në abuzimet në dhënien e së drejtës.

Avokati i Popullit dhe institucionet e komisionerëve të vazhdojnë monitorimin e zbatimit të standarteve të ligjshmërisë në të drejtat dhe liritë e qytetarëve, sidomos ndalimin ekzagjerimeve dhe abuzimeve me të drejtat e kufizuara.KLSh, por edhe të gjitha institucionet, të kontrollojnë ligjshmërinë e veprimtarisë së institucioneve dhe agjencive shtetërore.Synimi i Kuvendit dhe i Qeverisë është që gjendja e luftës kundër pandemisë të përballohet me procedura paqeje, që do të thotë të mos lejojmë asnjë shkelje apo shpërdorim, i cili maskohet apo justifikohet pas emergjencave.Banka e Shqipërisë të studjojë modelet e bankave të huaja në mbështetjen e ringjallërimit të ekonomisë dhe t’i aplikojë këto modele në mbështetjen e biznesit, por edhe të konsumatorëve, gjatë daljes nga gjendja  e pandemisë. Kini parasysh që ne po  dalim aktualisht nga dy gjendje të jashtëzakonshme, atë të pas tërmetit të 26 nëntorit dhe të pandemsië së koronavirusit. Ju e kini për detyrë të monitoroni edhe harmonizimin e zbatimit të programit të rindërtimit pas tërmetit dhe rigjallërimtit të ekonomisë pas pandemisë. Më shumë se sa në kohë normale, ju duhet të jeni sot si roje dhe garantë të interesit publik dhe të të drejtave të qytetarëve.Së fundi, dëshiroj tju rikujtoj atë që theksova edhe në seancën plenare të 30 prillit, se në kushtet specifike që jetojmë dhe për intensitetin e problematikave, u kërkoj institucioneve që, deri në mbyllje të situatës së fatkeqësisë natyrore të pandemisë  të informojnë Kuvendin periodikisht, mbi bazë javore, për problematikat e konstatuara dhe kapërcimin e tyre.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Comment

*