Rashiq e Trajkoviq e kundërshtojnë idenë për ndryshim kufijsh

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Politikanët serbë në Kosovë e konsiderojnë të dëmshme idenë për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sidomos pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për këtë temë, ata thonë se një gjë e tillë do ta destabilizonte rajonin.

Kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq, kujton se ridefinimi i kufijve në Ballkan është bërë gjithmonë me luftëra.

“Duhet ta dimë që ne jemi në Ballkan. Unë nuk e di dhe nuk e mbaj mend në asnjë periudhë historike që vendet e Ballkanit kanë arritur që me paqe t’i ndryshojnë kufijtë. Kjo është çështja e parë, e cila pastaj do të hapte probleme të tjera”, thotë Rashiq.

Rashiq mendon se as Bashkimi Evropian nuk do të pranonte ndarjen e Kosovës në baza etnike.

Edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se korrigjimi i kufijve do të çonte në destabilizimin e rajonit.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Trajkoviq druan se presidentët e Kosovës dhe Serbisë tashmë kanë arritur një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, por ajo nuk është zbuluar ende.

Ajo thekson se ndryshimi i kufijve do të çonte në pastrim etnik dhe në destabilizim të rajonit.

“Ne kemi ardhur në një pozicion, ku ata për normalizim po na ofrojnë projektin më mizor. Ky projekt i ndërrimit të kufijve,  nënkupton dëbim të ri dhe shpërngulje të njerëzve si dhe destabizilim posaqërisht për ne serbët, që enklavat do të zbrazeshin, por edhe pjesa me e madhe e veriut të Kosovës”, thotë Trajkoviq.

Në paraqitjet e fundit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur për “korrigjimin” e kufirit mes Kosovës e Serbisë. Sipas tij, kjo nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa u cënuar veriu i vendit.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ai është për caktimin e kufirit me shqiptarët. (r.m.)

Comment

*