Rashiq: Idetë për ndarje apo për shkëmbimi i territoreve janë të rrezikshme

Prishtinë, 8 gusht 2018 – Politikanët serbë në Kosovë e konsiderojnë të rrezikshme idenë e ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike, i cili ka përvojë të gjatë në institucionet e Kosovës, ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk do të mund të kalonte pa përshkallëzim të situatës.

Sipas tij, shtyrja dhe promovimi i ideve të tilla përbëjnë kërcënim edhe për sigurinë në Ballkan.

“Çfarëdo forme e ndarjes është ideja më e keqe që mund të ndodhë aktualisht. Shkëmbimi i territoreve paraqet rrezik real për sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Asnjëherë nuk janë ndryshuar kufijtë, të themi, pa pasur tensione dhe konflikte”, ka thënë Rashiq për gazetën “Koha Ditore”.

Rashiq parashikon probleme për bashkëkombësit e tij që jetojnë në jug të lumit Ibër, nëse palët hyjnë në diskutime për ndarje.

“Nëse bëhet ndonjë ndarje sipas planeve që i kanë ata (politikanët në Kosovë dhe Serbi v.j.), kjo do të ndikonte direkt në jetën e qytetarëve serbë në jug të Mitrovicës. Pra, këto janë ide të rrezikshme nga shumë aspekte”, ka shtuar Rashiq, i cili ka mbajtur pozitat e ministrit në dy qeveri të Thkaluara.

Por, ish-shefi i tij, Presidenti aktual, Hashim Thaçi, vazhdon ta mbrojë me këmbëngulje idenë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ndonëse kjo ide ka hashur në kundërshtime të fuqishme në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri.

Ideja e Thaçit, i cili thotë se me “korrigjim” të kufirit e mendon bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, konsiderohet e papranueshme edhe nga shqiptarët e Luginës, në qoftë se kjo reflektohet me shkëputje të cilësdo pjesë të Kosovës.

Kundërshtarët e idesë për ndarje të Kosovës e cilësojnë këtë si ide të kahmotshme të Serbisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është njëri prej promovuesve të kësaj ideje, ka thënë se ai ka folur për ndarjen qysh para dhjetë vjetësh. (r.m.)

Comment

*