Reeker: Koronavirusi, hapësira të paprecedenta për dezinformim

Philip T. Reeker, Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për Evropën dhe Euroazinë, dhe E Dërguara e Posaçme e Shteteve të Bashkuara, Lea Gabrielle, thanë se Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë momentin e vështirë të pandemisë për dezinformim në Evropë.

Gjatë një seance informimi me gazetarët nëpërmjet telefonit, zonja Gabrielle paralajmëroi se rrjetet dezinformuese të Rusisë kërkojnë të avancojnë interesat destabilizuese të Moskës, duke krijuar konfuzion në shoqëritë demokratike.

Zoti Reeker tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të ristartuar ekonominë botërore, si dhe për t’u përballur me dezinformimin duke shpërndarë informacione të sakta për situatën e COVID-19, bazuar në traditën e hershme të transparencës në qeverisjet demokratike dhe vlerat e shoqërive tona.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara e shohin gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore si një hapësirë koherente strategjike, ku njerëzit kanë marrë gjerësisht vendimin të vështrojnë drejt Perëndimit dhe të angazhohen me Bashkimin Evropian.

Ambasadori Reeker përmendi rastin e Maqedonisë së Veriut që iu bashkua NATO-s, por që tashmë e gjen veten duke u përballur me aktorë malinjë, si Rusia dhe Kina që konkurojnë për të ushtruar influencë, çfarë mund të shkaktojë edhe regres.

Ndërsa pritet që rrjetet ruse të mbjellin informacion fals për një vaksinë të mundshme për koronavirusin, si dhe të inkurajojnë zërat lokalë për teoritë e konspiracionit, po vihet re edhe rritja e aktivitetit të Kinës që ka qenë më pak e dokumentuar në të kaluarën.

Kina duket se po kopjon taktikat ruse për të goditur audienca jashtë vendit dhe tashmë po përpiqet edhe të kontrollojë diskursin global, si përshembull përpjekja për të paraqitur reagimin kinez ndaj COVID-19 si superior përballë Perëndimit.

Ambasadori Reeker tha se ndërsa Perëndimi po përgatitet të festojë 75 vjetorin e Ditës së Fitores ndaj fashizmit dhe nazizmit në Evropë, tashmë vendet aleate, të gjendura përballë një armiku krejt të ndryshëm, janë duke shkëmbyer informacione rreth koronavirusit dhe mënyrave më të mira për një përgjigje ndaj kësaj krize.

Ai përmendi vazhdimësinë e prirjes pozitive, si anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, apo ftesat që Bashkimi Evropian po vazhdon t’u dërgojë vendeve për çeljen e negociatave për anëtarësim. Ai tha se fatkeqësisht, Rusia ka megjithatë tendencën të rishkruajë edhe zhvillimet historike.

Po shohim, tha zoti Reeker, se sfida që po krijon koronavirusi është e paprecedentë në mungesën e transparencës dhe të hapësirës që krijon për dezinformim. Ai saktësoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë kontribuesi më i madh në fushën e shëndetësisë me mbi 140 miliardë dollarë kontribut në asistencë shëndetësore gjatë dy dekadave të fundit.

E Dërguara e Posaçme e Shteteve të Bashkuara, Lea Gabrielle, nënvizoi se kriza aktuale e koronavirusit nxjerr në pah kërcënimet serioze nga fushatat e dezinformimit dhe propagandës nga aktorë keqdashës. Ajo tha se ka vende që e përdorin dezinformimin si armë dhe që nuk hezitojnë ta përdorin as në kohëra si këto të pandemisë. Ajo vuri në dukje se siç është parë nga veprimet e Rusisë në të kaluarën, me sëmundje si Ebola apo Zika, rrjetet ruse kanë shfrytëzuar frikën dhe konfuzionin.

Mbrojtja kibernetike, e cila është bërë një pjesë thelbësore e fokusit të NATO-s, është përqëndruar në përballjen me sulmet e dezinformimit të mundësuara nga operacione kibernetike.

Një ndër shembujt më të fundit ku u pikasën elementë të ekosistemit rus të dezinformimit ishte promovimi i teorive të pabaza të konspiracionit për rrjetin 5G, apo ndaj drejtuesit të kompanisë “Microsoft” Bill Gates.

Kështu kanë vepruar edhe zyrtarë apo rrjete ruse në të kaluarën për të përhapur lajme të rreme se ishin Shtetet e Bashkuara që infektonin mushkonjat për të përhapur virusin Zika, apo siç thanë në 2019 se mund të ketë patur rol amerikan në përhapjen e Ebolas, dhe në përgjithësi për të gjitha përpjekjet amerikane në kuadrin e programeve për uljen e rreziqeve biologjike, ku marrin pjesë edhe disa vende të tjera të botës. (VOA)

Comment

*