Referendumi në Turqi: Gjysma e hënës që nuk pyet për gjysmën tjetër

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Si i bëhet kur gjysma e një vendi nuk e do drejtimin e ri që po merr? Turqia nuk votoi dje thjesht se kush do të qeverisë për disa vjet, po grisi përgjithmonë sistemin institucional të lënë nga Ataturku duke preferuar një sistem të fortë presidencial, që do t’i japë Erdoganit fuqi të mëdha ekzekutive.

Si me të gjithë votimet për gjëra kaq të rëndësishme e që vendosen me një diferencë shumë të vogël votash, debatet nuk do të mbyllen në ditën e votimit. Edhe në një nga vendet me traditë më të vjetër demokratike si Mbretëria e Bashkuar, vota Brexit vetëm sa i ka përndezur më keq debatet në vend që t’i mbyllte. Deri sa vendi të arrijë në një stabilitet të ri, skena e opinionit publik do të vazhdojë të ketë egërsinë e një fushate të përhershme elektorale.
gjysemKështu do të ndodhë edhe në Turqi. Madje më keq, sepse dyshime të rënda qendrojnë mbi manipulimin e votës. Media e pavarur apo kritike ndaj qeverisë është shtypur me forcë, qindra gazetarë janë arrestuar dhe burgosur. Kjo nuk ka qenë një fushatë e barabartë dhe një ngushëllim edhe për humbësit do të kishte qenë një rezultat në mos i thellë, të paktën i qartë.
Po nuk ndodhi ashtu. 6 nga 10 qytetet kryesore turke e hodhën poshtë referendumin, përfshi edhe Stambollin që shpesh ka shërbyer si barometër i opinionit kombëtar turk. Karriera politike e vetë Erdoganit filloi që aty dhe aty gjenden edhe argumentuesit më të artikuluar të të dy pozicioneve politike.
Opozita ka kërkuar rinumërimin e votave po nuk besoj se do të ketë kthim pas. Të gjitha masat e marra pas grushtit të dështuar të shtetit, lufta civile me kurdët etj kanë qenë shenjat e padiskutueshme që Erdogan nuk do të kthehet më pas.
Presidenti turk ka vendosur të mos lodhet më për të bindur të patën 5 apo 10% më shumë të turqve për nevojën e këtij ndryshimi institucional. Gjysma e turqve ka vendosur të ecë përpara me këtë zgjidhje pa e vrarë mendjen për gjysmën tjetër. Një tjetër simbolikë për gjysëm hënën e flamurit. Fat të mbarë asaj që i bie dielli, se për pjesën tjetër punë e madhe.
A ka vërtet rëndësi referendumi?
Mund të tingëllojë absurde mikrëpo, fitorja e referendumit mund të sjellë një lloj normaliteti në fakt, në jetën politike turke.
Për disa arsye. E para, le të jemi të sinqertë, cilën nga këto fuqi ekzekutive që po i jep referendum nuk i ka në të vërtetë Erdogani? A mendon njeri vërtet se nëse ai vendos diçka, Jëlldrëmi si kryeministër do t’i thotë “Jo”? Ai ndërtoi një pallat me një mijë e një dhoma, nga një për çdo përrallë të Shehrazades dhe askush nuk e ndaloi dot.
Referendumi do të sanksionojë edhe në letër pushtetet që Erdogan i ka në realitet dhe kjo për mirë apo për keq do të sjellë ligjshmëri në politikën turke. Në këtë rast ligji po ndryshon që t’i përshtatet realitetit. Kjo mund të mos jetë shumë e moralshme, po është pragmatike.
Republika presidenciale ekziston si formë në Perëndim. Ajo nuk sjell detyrimisht një diktaturë, ndonëse është e kuptueshme që Erdogan nuk po e bën ndryshimin se dëshiron të ndajë pushtetin apo që të populli t’i kërkojë më shumë llogari. Me apo pa ligje të shkruara, diktatura nuk do të ndalet nëse ka vullnet të mjaftueshëm publik për ta mbajtur në këmbë. Po, do të jetë e pamundur ta akuzosh tani Erdoganin për shkelje ligji. Po atë ka mës shumë se një dekadë që e akuzojnë për shkelje ligji, çfarë të mire u ka sjellë kundërshtarëve të tij?
Suksesi këtu mbase mund ta qetësojë Erdoganin që të mos ndalë rrënimin e mëtejshëm të shoqërisë turke. Ai e kishte ndarë mendjen që prej tre vitesh për këtë presidencë të superfuqishme. Duke qenë se nuk e realizoi dot me votë nëpërmjet institucioneve, ai prishi edhe një tjetër prej arritjeve të tij, paqen me pakicën kurde. Pjesa lindore e vendit është praktikisht në luftë dhe partia e pakicës kurde ka përfunduar nga parlamenti në burg.
Kritikët thonë se edhe grushti i shtetit ishte një sajesë për të future në burg mijëra ushtarakë. gjykatës, gazetarë, mësues etj për të thyer çdo pengesë ndaj projektit të tij politik.
Tashmë që Erdogan do të ketë fuqitë që kërkonte e që pallati i tij do të mbledhë për herë të parë pas 100 vitesh po aq pushtet sa kishin sarajet e sulltanit, ai mund të filloië një qetësim dhe pajtim me gjysëmpjesën e vrarë dhe të fyer të shoqërisë turke.
Ndoshta është naivitet të presësh një gjë të tillë, por ka një lloj shprese. Kjo lloj pritshmërie është sfiduar njëherë tashmë, kur dështimi i grushtit të shtetit i gëzoi njerëzit me shpjegimin se më mirë një pushtet politik jo edhe aq demokratik si ai i Erdoganit sesa një diktaturë ushtarake e dalë nga grushti. Mirëpo, masat që mori qeveria turke pas dështimit të grushtit ishin pikërisht ato që normalisht ndërmarrin grushtet e shtetit. Arrestime masive duke injoruar ligjet dhe gjykatat, pastaj arrestime të vetë gjykatësve dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë etj.
Ka kohë tashmë që turqit janë ndarë në dysh, jo vetëm në Turqi, po edhe në diasporë. Erdogan, në krye të gjysmës fituese nuk u lodh për të bindur më shumë turq përpara se t’i sanksiononte ndryshimet historike. A do të përpiqet tani që t’i bindë pas aktit të kryer, apo do të vijojë me metodën e shtypjes dhe akuzave të skajshme për këdo që nuk është dakord. E kaluara e afërt nuk të bën optimist.

2017-04-16T190303Z_1_LYNXMPED3F0O0_RTROPTP_4_TURKEY-REFERENDUM

2017-04-16T223958Z_1_LYNXMPED3F0RM_RTROPTP_4_TURKEY-REFERENDUM

Comment

*