Reinke, FMN: Shqipëria ka nevojë për gjyqësor të besueshëm

Përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Jens Reinke, deklaron se Shqipërisë i duhet urgjentisht një sistem gjyqësor i besueshëm, zbatimi i kontratave, si dhe procedura ligjore të parashikueshme

Arlinda Gjonaj, ATSH

Progresi në reformën në drejtësi, thekson Reinke, do të jepte një sinjal se të gjithë aktorët janë të angazhuar për një ndryshim serioz që duhej prej kohësh, në mënyrë që ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët e huaj dhe vendas.

Për këtë arsye, Reinke tha se FMN i bën thirrje të gjitha palëve që të bashkojnë forcat për të mirën e përbashkët dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në procesin parlamentar për të miratuar Vettingun përpara se parlamenti të shpërndahet.

Z. Reinke, ministri i Financave foli për një instrument të përbashkët që është aprovuar nga Bordi, i cili monitoron Shqipërinë për të gjitha ato angazhime që ka marrë përgjatë vitit 2017.  A mund të na thoni si do të funksionojë konkretisht ?

Qeveria i ka vendosur vetes objektiva tremujorë për performancën fiskale. Këto objektiva tremujorë bazohen në projeksionet e buxhetit të vitit 2017 dhe shpërndarjen e shpenzimeve, duke marrë në konsideratë edhe faktorët sezonalë. Këto objektiva tremujorë mundësojnë një monitorim më të mirë e të vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Financave si për performancën e të ardhurave edhe për ecurinë e shpenzimeve, si dhe ndihmojnë në ruajtjen nga presioni që mund të vijë prej zgjedhjeve. Ne i kemi premtuar qeverisë se do të ndihmojmë në monitorimin e këtyre objektivave. Ky premtim ishte pjesë e dokumentave të miratuara nga Bordi i FMN-së, në përfundim të programit.

Z. Reinke, në raportin e Bordit të FMN-së theksohet se zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi është shumë i rëndësishëm për ekonominë. Si i komentoni zhvillimet e fundit? Cili është mesazhi juaj për palët?

Për Shqipërinë, forcimi i shtetit ligjor mbetet i një rëndësie primare. Shqipërisë i duhet urgjentisht një sistem gjyqësor i besueshëm, zbatimi i kontratave, si dhe procedura ligjore të parashikueshme. Progresi në reformën në drejtësi do të jepte një sinjal se të gjithë aktorët janë të angazhuar për një ndryshim serioz që duhej prej kohësh, në mënyrë që ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët e huaj dhe vendas.

Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të bashkojnë forcat për të mirën e përbashkët dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në procesin parlamentar për të miratuar vetingun përpara se parlamenti të shpërndahet.

Duke qenë se ne jemi në një vit zgjedhor, çfarë do t’i sugjeronit qeverisë shqiptare, ku duhet të jetë e fokusuar vëmendja e saj në mënyrë që të mos gjendemi përballë situatës së përhershme ku bëhen shpenzime jo të analizuara dhe defiçiti kalon përtej parashikimeve ?

Në tre vitet e fundit është arritur shumë në forcimin e ligjit të buxhetit, rregulloreve dhe institucioneve. Qeveria është e angazhuar për t’i respektuar këto detyrime. Shqipëria tashmë ka një kuadër menaxhimi fiskal më rigoroz se ai që ka pasur në ciklet e mëparshme elektorale. Ligji i ri organik i buxhetit si dhe ligji i buxhetit të vitit 2017 kanë vënë limite për shpenzimet, borxhin dhe akumulimin e detyrimeve të tjera afatgjata. Kështu që megjithëse programi është përmbyllur, qeveria do të jetë e detyruar të ndjekë këto angazhime. Pa dyshim, FMN-já do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet makroekonomike dhe sidomos politikat fiskale dhe monetare gjatë kësaj periudhe.

A është Shqipëria në analizën tuaj një vend tërheqës dhe e besueshme për investitorët e huaj ?

Shqipëria ka një potencial të madh, por duhet të përmirësojë konkurueshmërinë në mënyrë që ta çlirojë këtë potencial. Thelbësore në këtë drejtim është forcimi i shtetit ligjor dhe ndërtimi i një rekordi të besueshëm stabiliteti ekonomik dhe politik. Në vitet e fundit është bërë përparim i dukshëm, i cili ka filluar të japë frytet e veta, në mënyrë më të dukshme në normat më të larta të rritjes ekonomike dhe në përmirësimin e renditjes së kreditimit nga agjencitë ndërkombëtare.

Comment

*