Rëndësia e votës së mërgimtarëve shqiptarë

Nga Kaltrina Kusari
Albinfo.ch
Si një shtet demokratik, Kosova duhet t’i kushtojë vëmendje pjesëmarrjes së qytetareve në zgjedhjet lokale dhe qendrore. Kjo është sidomos e rëndësishme këtë vit, gjatë të cilit Kosova pritet të ketë zgjedhje komunale. Në zgjedhjet komunale të vitit 2013, vetëm 46.31% nga 1.7 milion votues të regjistruar kanë dalë në votime (KQZ, 2013).

Përderisa KQZ-ja synon që numri i votuesve të rritet çdo herë, një segment i rëndësishëm i shoqërisë kosovare has në vështirësi gjatë procesit të votimit. Bëhet fjalë për mërgimtarët shqiptarë, numri i të cilëve besohet të jetë rreth 800 000.

Të paktën 300 000 mërgimtarë gëzojnë të drejtën e votës në Kosovë, mirëpo më pak se 1500 e tyre kanë votuar në zgjedhjet e fundit (UNDP, 2014). Kjo shifër sugjeron që sistemi i tanishëm i votimit nga jashtë lë shumë për të dëshiruar. Duke marr parasysh që mërgata shqiptare përben një prej grupeve më të mëdha sociale në Kosove, angazhimi i tyre në zgjedhje është i rëndësishëm.

Faktikisht, nëse të gjithë mërgimtarët (300 000) me të drejtë vote marrin pjesë në zgjedhjet komunale të këtij viti, rezultatet mund të duken shumë më ndryshe. Edhe nëse pjesëmarrja e mërgatës është aq sa ajo e qytetarëve që jetojnë në Kosovë (46.31%), vota e tyre mund të luaj një rol kyç në zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë/e komunal.

Pjesëmarrja e mërgatës në votime është me rëndësi sepse e fuqizon kontributin e madh që ajo ka dhënë për zhvillimin e Kosovës deri më tani. Për këtë arsye, organizata Germin organizoi takimin virtual me pjesëtaret e mërgatës me temën Zgjedhjet në Kosovë dhe Pjesëmarrja e Diasporës.

diaspora-hangout_valon-murati-768x459Gjatë këtij takimi, u diskutua për rëndësinë e votimit nga jashtë, sfidat të cilat ka hasur mërgata në këtë proces, si dhe mundësitë për zgjedhjet e ardhshme. Diskutimi u moderua nga Jetmir Bakija, Koordinator i Bordit Këshillues të Germin-it. Panelistët që morën pjesë veprojnë në sfera të ndryshme të jetës politike. Ata ishin Valon Murati, Ministër i Diasporës në Republikën e Kosovës; Faton Topalli, Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje; Adelina Muhaxheri, Politikane në Zvicër; Ruben Avxhiu, kryeredaktor i revistës shqiptaro-amerikane “Illyria”, SHBA; Ganimet Bajraktari , Aktiviste në Austri; Enis Halimi, Kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së.

Të gjithë panelistët theksuan që përkundër rolit të rëndësishëm që diaspora shqiptare ka luajtur në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, numri i votuesve nga jashtë mbetet i vogël. Avxhiu dhe Topalli besojnë që ka dy pengesa kryesore të cilat nuk e kanë lejuar mërgatën të jetë pjesë aktive e zgjedhjeve të deritanishme. Së pari, klasa politike në Kosovë nuk preferon votues nga jashtë sepse nuk mund t’i kontrolloj ata/ato ashtu si mund t’i kontrolloj votuesit që janë brenda shtetit. Së dyti, nëse lejohet që pjesëtarët e mërgatës të kenë përfaqësues në Kuvend, atëherë vota e diasporës ka tendencë të shkojë drejt kandidatëve të tyre, dhe jo atyre në Kosovë. Duke marr parasysh që asnjë klasë politike nuk hap vendin në pushtet në mënyrë vullnetare, diaspora duhet të bëj presion politik dhe të kërkoj me domosdoshmëri të drejtën e saj për të votuar, theksoi Avxhiu.

Gjithashtu, Avxhiu tha që, duke ju falënderuar avancimit të teknologjisë, “diaspora shqiptare nuk ka qenë asnjëherë më e informuar se sot”, dhe për këtë arsye “votuesit nga diaspora janë aktivist politikë me po aq njohuri dhe gatishmëri për të marr pjesë në proceset zgjedhore sa edhe shqiptarët në atdhe”. Për këtë arsye, të gjithë panelistët pajtohen që duhet përdorur metoda të ndryshme për të lehtësuar votimin nga jashtë. Votimi online, ai përmes postës, apo përmes ambasadave/konsullatave ishin disa prej metodave të sugjeruara nga panelistët. Mundësimi i votimit përmes disa kanaleve të ndryshme, Znj. Muhaxheri theksoi, do të lehtësonte pjesëmarrjen e secilës gjeneratë në zgjedhje. Duke u përqendruar tek të rinjtë e diasporës, ajo po ashtu tha që ka nevojë për një platformë e cila përmban informata për plan programin e secilës parti politikë në Kosovë dhe ku ceket “se çfarë ndikimi kanë votat nga Zvicra” apo shtete të tjera ku ka mërgatë shqiptare.

Përveç te drejtës së votës, e cila tashmë u mundësohet mërgimtarëve, panelistët kërkuan edhe mundësinë e përfaqësimit te diasporës në Kuvendin e Kosovës. Znj. Ganimete Bajraktari sqaroi që përderisa ligji i tanishëm i jep diasporës të drejtën e votës, ky ligj nuk lejon që ata/ato të kandidojnë për pozitë të deputetit. Të gjithë panelistët, duke përfshirë edhe Ministrin e Diasporës, Valon Murati, u pajtuan që përfaqësimi i diasporës në Kuvend dhe institucione tjera vendimmarrëse është i domosdoshëm. Ministri Murati konstatoi që “pjesëmarrja e diasporës duhet të diskutohet jo vetëm tash, por gjatë gjithë kohës, deri sa të gjejmë një mënyrë efikase të votimit nga jashtë”. Në të njëjtën kohë, ai foli për vështirësitë e përfaqësimit të diasporës në Kuvend. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm pas ndërrimeve në legjislaturën e Kosovës, dhe ky është një proces i cili kërkon kohë.

Përveç përfaqësimit në Kuvend, panelistet diskutuan edhe kërkesa tjera të mërgimtarëve shqiptarë. Ndër tjerash, Znj. Bajraktari tha që mërgimtarët kërkojnë të angazhohen si ekspert në institucionet e Kosovës, si dhe përfaqësitë diplomatike; të jenë pjesë e komisioneve zgjedhore; dhe të kenë përfaqësues në katër ministri, çoftë në pozitë ministri apo trup profesional. Këto kërkesa janë të rëndësishme sepse përmbushja e tyre do të ndikonte në motivimin e mërgatës për angazhim të mëtutjeshëm në zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Së fundi, u fol për mundësitë e përmbushjes së kërkesave të lartpërmendura, si dhe përmirësimet teknike në procesin e votimit nga jashtë. Halimi, si përfaqësues i KQZ-së, tha që ky institucion ka mundësi të kufizuara për të inkurajuar mërgimtarët që të votojnë sepse procesi zgjedhor ndikohet nga shumë akter, duke përfshirë edhe partitë politke. Po ashtu, KQZ-ja akoma funksionon me rregullativën e vitit 2008, ndonëse ka pasur shumë avancime teknologjike që kjo rregullore nuk i merr parasysh. Për këtë arsye, dhe përkundër synimeve të KQZ-së, në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur rreth 4000 aplikacione për votim nga jashtë, mirëpo shumica e këtyre aplikantëve nuk kanë arritur të dërgojnë fletëvotimin e tyre për shkak të afatit 30 ditor – një periudhe shumë e shkurtër për të mundësuar dërgimin e fletëvotimeve përmes postës.

Në mënyrë që procesi i votimit nga jashtë të përmirësohet, duhet që mërgimtarët të bëjnë më shumë presion tek institucionet përkatëse. Në të njëjtën kohë, KQZ-ja dhe shoqëria civile në Kosovë duhet të jenë më aktivë në informimin e mërgatës për të drejtën e tyre të votës dhe inkurajimin e tyre që të përdorin këtë të drejtë. Mbi te gjitha, pa marr parasysh metodat e votimit që do të përdoren në të ardhmen, siguria e votës nga jashtë ka rëndësi të veçantë. Votuesit që gjejnë kohë të dërgojnë fletëvotimin e tyre duhet të ndihen të sigurt që vota e tyre nuk do të manipulohet. Mekanizmat e duhur për sigurimin e votës mbeten të diskutohen në të ardhmen.

 

(Kaltrina Kusari vijon studimet e magjistraturës tek Universiteti i Calgary në Alberta të Kanadasë, në fushën e punës sociale. Studimet e saj përqendrohen në përvojat e azil kërkuesve Kosovarë dhe rëndësinë e migrimit në historinë e Kosovës. Për momentin, ajo është pjesë e Germin, një OJQ e cila punon për avokimin e të drejtave të diasporës.)

Shkrimi origjinal e gjeni të botuar në këtë lidhje: http://www.albinfo.ch/rendesia-e-votes-se-mergimtareve-shqiptare/

Comment

*