Rënia e Euros pengon rritjen ekonomike dhe inflacionin

Tiranë, 10 maj 2018 – Euro ka shënuar sërish sot një rënie tjetër, duke arritur nivelin më të ulët në dhjetë vitet e fundit dhe duke u këmbyer me 126.8 lekë.

Por, pavarësisht kësaj rënieje, Banka e Shqipërisë  vijon të përsërisë faktin se zhvlerësimi i euros do të jetë afatshkurtër dhe se një nga faktorët është edhe ajo e rritjes së të ardhurave në sektorin e turizmit.

Në një takim joformal, eskpertët e Bankës së Shqipërisë janë shprehur se gjatë këtij viti ka pasur shumë prenotime të hershme ose “early booking” në hotelet shqiptare nga të huajt, çka e ka rritur sasinë e euros në qarkullim.

Edhepse banka e shtetit e pranon se zhvlerësimi i euros ndikon negativisht, ajo pasqyron ecurinë pozitive të ekonomisë.

Por, për ekspertët e  ekonomisë, zhvlerësimin e euros e shohin si pengesë për ecurinë ekonomike.

Sipas Arjan Kadaresë, një euro e dobët do të ndikojë në mbajtjen e një inflacioni të ulët, dhe nuk do ta lejojë Bankën e Shqipërisë që të arrijë objektivat.

“Një efekt është që i vë fre rritjes ekonomike, sepse dëmton sidomos eksportet. Me gjasa mund të dëmtojë dhe turizmin. Natyrisht, pengon edhe arritjen  e objektivave të politikës fiskale, sjell probleme edhe në politikën monetare, sepse ka disa vjet që inflacioni është i ulët”, ka thënë Kadare, citon Ora News.

Por, si janë pritshmëritë për ecurinë e kursit të këmbimit euro-lek?

Sipas ekspertit Adrian Civici, edhe në muajt në vijim priten tendenca që euro të mbetet e dobët.

“Është shumë vështirë që të bësh parashikimin në një treg monetar, aq më tepër me një monedhë si euro, që është monedhë ndërkombëtare. Mendoj që kemi hyrë dhe do të vazhdojmë dhe disa muaj në kushtet e një euroje të dobësuar në raport me lekun, në intervalin 126-128 ose maksimumi 129 lekë”, ka thënë Civici.

Ekspertët, por edhe Banka e Shqipërisë, argumentojnë se në zhvlerësimin e euros kanë ndikuar të ardhurat nga investimet, nga remitancat dhe nga rritja e eksporteve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë të vitit, leku u forcua me 5.5 për qind me bazë vjetore ndaj shportës së monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. (r.m.)

Comment

*