Rënie civilizimesh

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Rënia e qytetërimeve ka tërhequr prej kohësh vemendjen e historianëve.
Arnold Toynbee (1889 – 1975) në librin e tij “A Study of History” trajton rreth 30 qytetërime që njerëzimi ka kaluar. Sipas tij, në shumicën e rasteve qytetërimet kanë qenë vetë përgjegjëse për rënien e tyre. Vetë-shkatërrimi është natyrë e njeriut. Sidoqoftë, rrënimi i qytetërimeve është ndihmuar edhe nga faktorë të ndryshëm të jashtëm.
Perandoria Romake, për shembull, ishte viktimë e zgjerimit të tepruar dhe e udhëheqjes së dobët. Por ajo gjithashtu u gjunjëzua kur u dynd nga visigotë dhe vandalë nga viti 410 deri më 455.
Rënia është shpesh e shpejtë dhe madhështia nuk shërben si vaksinë për të siguruar imunitet. Në vitet 390, Perandoria Romake mbulonte një sipërfaqe prej 1.9 milionë kilometra katrorë dhe vetëm 5 vjet më pas, ajo shtrihej vetëm në 770.000 kilometra katrorë. Prej viti 476, sipërfaqja që zinte ishte zero.
Rënia mund të përkufizohet si pakësim i shpejtë e numrit të popullsisë dhe humbje e identitetit. Shërbimet publike rrënohen dhe çrregullimi vjen ndërsa qeveria humbet monopolin.
Rënia mund të vijë pavarësisht nga shkalla e lartë e zhvillimi. Qytetërimi i sotëm, për shembull, mund të jetë më i avancuar, por kjo nuk e mbron nga kërcënimet që kanë hasur qytetërimet e kaluara. Aftësitë teknologjike sjellin edhe sfida.
Ndërsa nuk ekziston një teori e vetme e pranuar përse bien qytetërimet, historianët propozojnë shpjegime të ndryshme, duke përfshirë ndryshimet klimatike. Rënia e Anasazit, Mayas dhe shumë qytetërimeve të tjera kanë përkuar të gjithë me ndryshime klimatike të papritura, zakonisht thatësira.
Rënia mund të ndodhë kur shoqëritë tejkalojnë kapacitetin e mjedisit të tyre. Kolapsi ekologjik vjen nga shpyllëzimi i tepruar, ndotja e ujit, degradimi i tokës dhe humbja e biodiversitetit.
Qeverisja nga elita oligarkësh është një recetë për rrënie qytetërimesh. Pasuria dhe pabarazia politike mund të jenë nxitësit qendrorë të shpërbërjes sociale, ashtu si edhe oligarkia dhe centralizimi i pushtetit. Kjo jo vetëm që shkakton shqetësime sociale, por pengon aftësinë e një shoqërie për t’iu përgjigjur problemeve ekonomike.
Hstoriani Joseph Tainter është i mendimit se shoqëritë në fund rrënohen nën peshën e kompleksitetit dhe burokracisë së tyre të akumuluar.
“Katër kalorësit” që shënojnë fundin e qytetërimit janë lufta, fatkeqësitë natyrore, uria dhe sëmundjet epidemike.
Një shpjegim përfundimtar përse qytetërimet bien, nuk ka. Por dihet se njeriu rrëzohet nëse ecën sy mbyllur, dhe është i dënuar nëse nuk e përfill të kaluarën.

Comment

*